Ja kur do të nisin të zbatohen masat anti-krizë nga Qeveria

Përderisa autoritete krekosen se kanë përgatitur pakon e 9-të të masave për zbutjen e krizës ekonomike, tani u bë e ditur që këto masa të reja anti-krizë pritet të jenë aktive nga fillimi i nëntorit. Fatmir Bytyqi tha se seanca parlamentare do të mbahet më 19 shtator dhe sapo të nisë procedura do të përgatiten masat, të cilat sipas tij do të destinohen për kategoritë më të prekura të qytetarëve. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike tha se Odat Ekonomike nuk janë konsultuar për shkak se ndihmat nuk janë për ta.

Marketing

“Masat anti krizë nuk sillen për tregtarët, që dikush diku të llogarisë diçka. Masa anti krizës do të merren për qytetarët, për t’ju ndihmuar atyre që sot kanë më së shumti nevojë. Ne duam të merremi me pasojat sepse do t’i zgjidhim pasojat në mënyrë institucionale. Pasojat janë ato, që sot më së shumti dëmtohen konsumatorët dhe prandaj mendojmë se duhet t’i synojmë me masa të caktuara”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Madje për sektorin e biznesit, Bytyqi tha se mes tyre ka marrëveshje jo lojale, duke shkaktuar dëme në tregun e lirë. Për këtë arsye, ai takoi sot kryetarin e Komisionit për mbrojtje të konkurrencës. Nga Vlladimir Naumovski kërkoi që të zbarkojnë në terren për të detektuar biznesmenët keqbërës në çmime dhe të ndërmarrin veprime bashkërisht me Inspektoratin e Tregut dhe Ministrinë e Ekonomisë.

“Nuk prejudikoj as nuk aludoj që shoqëri klanore biznesi, por vlerësoj se ka marrëveshje të caktuara të disa tregtarëve të caktuar dhe palë të tjera, të cilët kanë shkaktuar dëme në tregun e lirë dhe vlerësoj se kjo mund të përmirësohet me veprimet e Komisionit për mbrojtje të konkurrencës, asgjë më tepër!”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

E përderisa autoritetet e ekzekutivit po punojnë për pakon e masave anti krizë, qytetarët çdo ditë përballen me rritjen e çmimit duke u thelluar akoma më shumë. Ndonëse disa nga përfaqësuesit e qeverisë bënë me dije opinionin se tregtarët janë ata që u bëjnë presion prodhuesve për të rritur çmimet, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim. Nga Ministria e Financave u paralajmërua se do të ndahen 74 milionë euro shtesë nga buxheti për pakon e nëntë të masave kundër krizës. Se çfarë saktësisht do të përmbajë nuk është bërë ende e ditur. Por, vazhdimisht theksohet se do të mbështeten kategoritë më të prekura. Ajo që dihet deri më tani është që do të mbështetet kosto e lartë e energjisë elektrike.