Osmani në Pragë do të hapë Forumin e Dimensionit të Dytë të OSBE-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, më 14 dhe 15 shtator do të marrë pjesë në Forumin vjetor të Dimensionit Ekonomik dhe Ekologjik të OSBE-së, i cili mbahet në Pragë, në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën.

Marketing

Tema e Forumit është “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e OSBE-së përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike rezistuese e gjithëpërfshirëse”, dhe në kuadër të programit dyditor, do të diskutohet për tema të rëndësishme që janë prioritete të kryesimit në dimensionin e dytë të OSBE-së, si: ballafaqimi me ndryshimet klimatike, qeverisja e mirë dhe anti-korrupsioni, lehtësimi i transportit dhe tregtisë dhe siguria ushqimore, si dhe menaxhimi i rrezikut nga fatkeqësitë.

Pjesa zyrtare e Forumit do të hapet nga Kryesuesi i OSBE-së, Osmani, ndërsa parashihen fjalime hyrëse nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid, si dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavski.

Me ftesë të Osmanit, ngjarja do të mbledhë në një vend delegatë të shquar nga institucionet qeveritare dhe shtetërore, përfaqësues nga sektori privat, komuniteti akademik, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Qëllimi i Forumit është që t’i vazhdojë dhe plotësojë diskutimet për këtë temë nga Konferenca e Strugës për Dimensionin Ekonomik dhe Ekologjik të OSBE-së, e cila u mbajt këtë vit në qershor, si dhe të inkurajojë diskutim interaktiv dhe shkëmbim të përvojave nacionale, të cilat mund të rezultojnë në rekomandime specifike dhe të zbatueshme për OSBE-në dhe vendet e saj pjesëmarrëse.