Begaj takon Guterres: Shqipëria faktor stabiliteti jo vetëm në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. António Guterres. Kreu i Shtetit nënvizoi kontributin e Shqipërisë në dy vitet e fundit, për paqen dhe sigurinë, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Marketing

Sipas Begajt, angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, është konfirmim i rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.

Duke u ndalur edhe te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropain dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që do të mundësonte të dyja vendet si dhe të gjithë rajonin, të vazhdonin me sukses rrugëtimin e tyre integrues në BE.

“Ballkani Perëndimor po kalon një periudhë tejet dinamike, ndaj Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes shteteve, në funksion të stabilitetit dhe përparimit të tyre”, tha Presidenti.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm kanë qenë në fokus të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së OKB-së, ndaj Presidenti i shprehu Sekretarit të Përgjithshëm angazhimin maksimal të Shqipërisë në zbatimin e OZHQ-ve dhe Agjendës 2030.