Akuza për mashtrim, Trump paraqitet në dyert e gjykatës për të dytën ditë

Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump është paraqitur për të dytën herë në Gjykatën e New York-ut, pas akuzave për mashtrim civil.

Marketing

77-vjeçari, i cili po përballet me disa beteja ligjore, denoncoi rastin e mashtrimit të biznesit, si një “gënjeshtër” që synon të pengojë përpjekjen e tij për të rimarrë postin e presidentit vitin e ardhshëm.

Trump nuk ishte i detyruar të merrte pjesë në ditën e hapjes së gjyqit, pra një ditë më parë, por zgjodhi ta bënte këtë duke u ulur në tryezën e mbrojtjes të rrethuar nga avokatët e tij.

“Është një mashtrim. Është një mashtrim. Pasqyrat e mia financiare janë fenomenale”, u shpreh ai përpara se të hynte në sallën e gjyqit.

Vendpushimi luksoz Mar-a-Lago në Florida, vendi i dramës së dokumenteve të klasifikuara dhe disa klube të tjera golfi të Organizatës Trump janë gjithashtu në ankesën e paraqitur nga organet gjyqësore.

Në deklaratën e tij për mediat ish-presidenti i SHBA-së u shpreh se Mar-a-Lago vlen më shumë se 1.5 miliardë dollarë dhe jo 18 milionë dollar, teksa shtoi se kostoja e pronës nuk është vlerësuar siç duhet.

Gjatë një pauze të seancës, Trump i zemëruar dënoi gjyqin, të cilin e quajti një të turpshëm dhe të paraqitur nga një prokuror i përgjithshëm që është i korruptuar.

Gjykatësi hoqi licencat e biznesit që lejuan Organizatën të operonte disa nga pronat e saj në New Jork, një veprim i njohur si “dënimi me vdekje i korporatës”.

Pas këtij gjyqi, Trump mund të humbasë kontrollin mbi shumë nga pronat kryesore të kompanisë së tij.