Ushtrimet e mëngjesit më të efektshme për humbje peshe

Një studim i ri ka konkluduar se personat që bëjnë ushtrime në mëngjes kanë zakone më të mira të të ngrënit shëndetshëm dhe gjithashtu peshojnë më pak.

Marketing

Edhe pse studimi është marrë me çështjen se cila është koha më e mirë për të bërë ushtrime, ekspertët kanë thënë se kryesorja është të qëndruarit aktiv.

Studimi, i botuar të martën në revistën mjekësore “Obesity”, ka shqyrtuar aktivitetin dhe të dhënat shëndetësore të mbi 5,000 njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata që ushtruan më herët gjatë ditës, midis orës 7 dhe 9 të mëngjesit, u zbulua se kishin indeks më të ulët të masës trupore dhe bel më të ngushtë se të tjerët që ushtronin më vonë gjatë ditës.

Autorët e këtij studimi kanë thënë se më shumë hulumtime duhen bërë dhe se ky është vetëm hapi i parë.

Aktiviteti fizik ka dalë të jetë i dobishëm për të gjitha moshat.

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), aktiviteti fizik zvogëlon rrezikun e depresionit, përmirëson shëndetin e eshtrave dhe rrit disa masa të performancës akademike tek fëmijët.

Për të rriturit, aktiviteti fizik ul rrezikun e goditjes në tru dhe tensionit të lartë të gjakut dhe gjithashtu përmirëson shëndetin mendor.

CDC-ja ka thënë se pavarësisht përfitimeve të dëshmuara, vetëm gjysma e të rriturve bëjnë aktivitetin fizik që u nevojitet, ndërsa bërja e një aktiviteti fizik të mjaftueshëm mund të parandalojë një në dhjetë vdekje të parakohshme.

Udhëzimet aktuale nga CDC-ja kanë vënë në pah se të rriturit duhet të bëjnë 150 minuta në javë aktivitet fizik me intensitet mesatar, së bashku me dy ditë aktivitete për forcime muskujsh.

Aktiviteti fizik me intensitet mesatar përkufizohet nga CDC-ja si çdo aktivitet që “të bën të marrësh frymë më fort dhe zemra të rrahë më shpejt”, dhe mund të përfshijë gjithçka, nga ecja te çiklizmi apo kërcimi.

Kërkesa e trupit për ushtrime javore është vetëm 30 minuta në ditë, pesë ditë në javë.

CDC-ja ka thënë se rekomandimi prej 150 minutash në javë është objektiv minimal, dhe se shkuarja përtej kësaj do të jepte më shumë përfitime shëndetësore.

Nëse një person po bën një aktivitet aerobik më të fuqishëm, si vrapimi, kërkesa minimale është 75 minuta në javë, sipas CDC.