Merko: Për të gjitha problemet fajtorë janë gazetarët dhe Komuna e Ohrit

Kryetarët e komunave të Strugës dhe Ohrit, Merko dhe Pecakov, hynë në luftë të hapur, pasi Merko publikisht akuzoi Komunën e Ohrit se është më së shumti fajtore për situatën në të cilën ndodhet rajoni i Ohrit, lidhur me statusin nën UNESCO. Merko shkoi aq larg sa fajësoi mediat për këtë situatë, të cilat sipas tij përhapin gënjeshtra për komunën e tij.

Marketing

“Pjesa më e madhe e problemeve dhe vështirësive që u shfaqën dhe ekzistojnë ende në rajonin e Ohrit burojnë nga Komuna e Ohrit dhe drejtuesit e saj, të cilët vazhdimisht, nën patericën e mediave, organizatave dhe lobistëve të paguar prej tyre, sulmojnë komunën tonë për çdo aspekt dhe në çfarëdo kohë dhe vendi, pa asnjë argument. Komuna e Strugës, në mënyrën më të përgjegjshme dhe profesionale, i ka kryer, po i kryen dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj detyrave që dalin nga misioni monitorues i UNESCO-s dhe nga konkluzionet e samitit të UNESCO-s”, deklaroi Ramiz Merko – kryetar i Strugës.

Komentimi i punës së papërgjegjshme të atyre që janë përfshirë në listat e zeza ndërkombëtare për abuzime të ndryshme është tragjikomike, u përgjigj Pecakov.

“Kur dikush futet në listën e zezë për ato arsye, fajëson Komunën e Ohrit, e cila nuk ka një njollë të tillë në punën e saj, pavarësisht se cila udhëheqësi ka qenë në krye, është larg parimeve, dhe nuk është as kolegjiale dhe as nuk ka të bëjë fare me realitetin. Për të gjitha ato gjëra që mund të kritikonin Merkon, e kanë kritikuar se ata nuk i zbatuan atje”, tha Kiril Pecakov – Kryetar i Komunës së Ohrit.

Nga SHGM, reagimin e komunës së Strugës e vlerësojnë si tentim për t’ua mbyllur gojën gazetarëve lokal përmes censurës.

Reklama

“Zyrtarët janë përgjegjës para qytetarëve për punën e tyre, ndaj çdo tentativë për t’ua mbyllur gojën e gazetarëve sjell mosbesim ndaj institucionit. Ky incident do të vihet në dukje në raportet vjetore për lirinë e shprehjes si shembull negativ i keq-komunikimit të institucioneve publike me gazetarët dhe mediat”, thonë nga SHGM.

Pecakov njoftoi se si komunë do t’i dërgojnë një letër me reagim deri te Komuna e Strugës, me të cilën do të kërkojnë që Merko të kërkojë falje për pretendimet e bëra. /Alsat/