Hamasi lëshon raketa drejt Izraelit disa minuta pas largimit të Biden

Pak minuta pasi presidenti i SHBA Joe Biden u largua nga aeroporti Ben Gurion në bordin e Air Force One, nga Gaza nisi lëshimi i raketave drejt Izraelit qendror.

Marketing

Pasi shkeli tokën e Izraelit në vizitën e parë zyrtare që nga nisja e luftës, presidenti amerikan shpenzoi tetë orë duke folur me zyrtarë dhe familjarë në vend si dhe mbajti një mbledhje me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e tij.

Ndër të tjerë, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se për SHBA nuk ka përparësi më të lartë sesa kthimi në shtëpi i pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor.

Gjatë konferencës për shtyp me Netanyahu-n, Biden iu drejtua familjeve të pengjeve: “Ju nuk jeni vetëm, ne po punojmë me partnerët në rajon për të siguruar lirimin e njerëzve të mbajtur të burgosur nga Hamasi.”

Po ashtu, ai njoftoi 100 milionë dollarë fonde të reja nga SHBA në ndihmë humanitare si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor.