Aleanca për Shqiptarët nuk konfirmon nëse do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së opozitës shqiptare për bashkëpunim parazgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Nga partia e Arben Taravarit e cila është në pushtet prej në muajin shkurt të këtij viti, nuk dhanë përgjigje as në pyetjen e Alsat se …
Pyetje në adresë të ASH-së
“Si i përgjigjeni thirrjes së z.Mexhitit ndaj Aleancës për Shqiptarët për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet presidenciale?”
Kërkesa që Aleanca për Shqiptarët t’i bashkohet frontit opozitar është e përbashkët. Këtë e thonë edhe nga Lëvizja Besa. Nga partia e Bilall Kasamit thonë se kanë ftuar në takim kreun e ASH-së për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.
“Kemi bërë ftesë publike deri te ata, kemi dërguar edhe letër bashkëpunimi zyrtarisht, tash do të bëjmë tentativë që të realizojmë edhe takim me kryetarin e ASH-së që të diskutojmë për mundësinë e bashkëpunimit dhe për tema të tjera me rëndësi për shqiptarët. Arsye e vetme është vetë dëshira e shumicës së elektoratit shqiptar i cili dëshiron ndryshimin, dhe ne medoemos duhet të reflektojmë. Ne, por edhe ASH-ja gjithnjë ka qenë e qëndrimit se BDI është faktori kryesorë për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, andaj duhet të punojmë së bashku në mënyrë që ta sjellim rrotacionin politik aq të dëshiruar edhe te shqiptarët”, thonë nga Lëvizja Besa.
Se ka një ftesë zyrtare për takim me Taravarin ka konfirmuar një ditë më parë edhe kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
Një ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, njoftoi se fronti opozitar ka vendosur të ketë edhe kandidat të përbashkët për president në zgjedhjet e pranverës. Në këtë garë dhe në garën e zgjedhjeve parlamentare, ai ftoi përsëri ASH-në për t’iu bashkuar.
“Elektorati i ASH-së dëshiron që subjekti i tyre të mos jetë patericë ose të marrë mbi vete gjithë atë që 20 vite ka bërë dikush tjetër, prandaj një ditë e më herët ata duhet t’i bashkohen këtij fronti që e kthen shpresën tek qytetarët”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
I pyetur më herët nëse do të preferonin të garonin me lista të përbashkëta me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, kreu i partisë Arben Taravari ka deklaruar se ai personalisht do të preferonte që ASH-ja të garojë e vetme. I pyetur edhe për mundësinë e bashkëpunimit me opozitën, Taravari kishte deklaruar se në politikë gjithçka është e mundur por vendimin do ta marrin organet e partisë.
“Rrethanat janë shumë interesante. Zhvillimet janë të përditshme. Unë them se çdo ditë ka plot zhvillime kështu që nuk mund të them diçka definitive tash për tash por në politikë, çdoherë, çdo gjë është e mundur”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët. /Alsat.mk