Zgjidhet kryetari i ri i Listës Serbe

Zllatan Ellek është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Marketing

Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re. Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiç.

Ndërkaq, nënkryetarë të rinj të Listës Serbe janë zgjedhur Dragisha Milloviq, zëvendësdrejtor i spitalit në Mitrovicën e Veriut, Igor Zaporozhac, kryetar i Komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik, dhe Dragana Antonijeviç, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës dhe drejtoreshë e Qendrës së Studentëve në Mitrovicën e Veriut.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Këto ndryshime në lidershipin e partisë po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.