Rusia sulmon Kurtin në OKB: Ky palo kryeministër po nxit ambicien e “Shqipërisë së Madhe”

Rusia tentoi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të paraqiste Serbinë si viktimë në tensionet e fundit në Kosovë.

Marketing

Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të ditëve më parë, ambasadori i Putinit në OKB, Vasily Nebenzya, mbrojti me më shumë zell se kryeministrja Ana Brnabiç, tezën e Beogradit se Prishtina është fajtore për situatën aktuale.

Madje kërkoi nga Haga që të dënojë liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, për krime të rënda të luftës.

“Kemi besim se Dhomat e Specializuara nuk do të përsërisin gabimet e Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale për Ish Jugosllavinë dhe të gjithë ata përgjegjësit do të marrin ndëshkimin që meritojnë.

Në këtë kontekst, refuzimi i Prishtinës për të paguar kompensimin për viktimat e krimeve të kryera nga luftëtarët e UÇK-së, në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Haga, flet vetë”, tha Vasily Nebenzya, Ambasador i Rusisë në OKB.

Ambasadori rus në OKB foli me kritika dhe akuza edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se po përpiqet të ndërtojë Shqipërinë Etnike.

“Anohet nga perëndimi po nxit ambicjen e ‘Shqipërisë së Madhe’, ky palo kryeministër Kurti, duke shkuar përtej limiteve të Provincës.

Ai përpiqet të destabilizojë zonat e populluara nga myslimanët në Serbinë qendrore, inkurajon ndjenjat centrifugale në Maqedoninë e Veriut. Ka harta të ‘Shqipërisë së Madhe’, dhe ato cenojnë edhe integritetin territorial të Malit të Zi dhe Greqisë”, tha Vasily Nebenzya, Ambasador i Rusisë në OKB.

Ambasadori rus në OKB foli dhe për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë, duke thënë se po ekzagjerohet me atë çfarë ndodhi teksa akuzoi Policinë e Kosovës si palë përgjegjëse.

Nebenzya vazhdoi retorikën në mbrojtje të Serbisë, duke kërkuar që në vend të Beogradit të dënohet Kosova për dërgimin e policisë në veri dhe për shndërrimin e FSK në ushtri, pasi sipas tij “nëse nuk i jepet fund këtij arbitrariteti, pasojat mund të jenë jashtëzakonisht të rënda, deri në rifillimin e konfliktit të armatosur”.