Lufta Izrael-Hamas/ Mjekët rrëfejnë tmerrin në Gaza: Fëmijët po operohen pa anestezi

Disa operacione në Rripin e Gazës janë kryer pa i dhënë pacientëve anestezi të plotë për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore, paralajmëroi sot organizata joqeveritare humanitare Mjekët pa Kufij (MSF).

Marketing

“Na mungojnë anestezitë, na mungojnë qetësuesit, nuk kemi morfinë. Ne kryejmë shumë operacione me gjysmën e dozës së anestezisë, është e tmerrshme”, tha për AFP Leo Kans, kreu i misionit të MSF në Jerusalem, i cili është përgjegjës për Territoret Palestineze. “Ndonjëherë, disa operacione bëhen pa anestezi”, shtoi ai.

Në mesin e kësaj jave, Kans tha se i preu këmbën një fëmije 10-vjeçar, në dyshemenë e spitalit, në korridor, sepse të gjitha sallat e operacionit ishin plot. Fëmijës nuk i është dhënë anestezi e plotë. “Aty ishte nëna e tij, po ashtu edhe motra e tij. Ata po e shikonin operacionin në dysheme,” shtoi ai, duke iu referuar fotove dhe videove që i dërguan nga ekipet e MSF.

Ai përmendi edhe rastin e një fëmije tjetër, 12 vjeç, i cili ka djegie në 60% të trupit dhe mjekët detyrohen t’i ndryshojnë garzën pasi i kanë dhënë vetëm paracetamol . “Është e vështirë për t’u përballuar” për personelin mjekësor që detyrohet të ketë përparësi, në varësi të ashpërsisë së dëmtimeve.

Kans bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të bombardimeve dhe dërgimin e ilaçeve në Gaza.

“Në mesin e viktimave ka shumë fëmijë dhe gra dhe kjo na bën të themi se ka bombardime pa dallim”, shtoi ai.

Kans tha se ai ka disa kontakte të kufizuara me anëtarët e MSF në Gaza, falë dy telefonave satelitorë. “Është pothuajse e pamundur të koordinojmë veprimin tonë pasi telekomunikimet në Rripin e Gazës janë ndërprerë” që nga mbrëmja e së premtes, tha ai.

Nxitja e ushtrisë izraelite drejtuar banorëve që të evakuojnë Rripin verior të Gazës dhe të shkojnë në jug është “si t’u kërkohet mjekëve të braktisin pacientët e tyre”, shpjegoi ai. “Nuk mund të shkosh askund ku të jesh i sigurt pasi granatimet janë po aq intensive në jug”, argumentoi ai.

MSF ka rreth 230 punëtorë në Rripin e Gazës. Shumë prej tyre kanë humbur shtëpitë e tyre dhe kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke kërkuar ujë dhe ushqim, tha Kans.