Ana e errët e digjitalizimit: Dhuna që buron nga teknologjia drejt grave

Rreth 100 përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, mekanizmat kombëtarë gjinorë, partnerët globalë të zhvillimit, kompanitë teknologjike, akademia dhe ekspertë nga fusha të ndryshme u mblodhën së fundmi për të eksploruar së bashku njohuri të reja mbi dhunën që buron nga teknologjia ndaj grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Marketing

Ngjarja shënoi fillimin zyrtar të kërkimit të ri me fokus; “Ana e errët e digjitalizimit: Dhuna e Lehtësuar nga Teknologjia kundër Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore” që u organizua nga Zyra Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore në bashkëpunim me Koalicionin e Veprimit për Barazinë e Gjeneratave për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Koalicionin e Veprimit për Teknologji dhe Inovacion.

Pas një hulumtimi 1- vjeçar që ka hetuar format dhe prevalencën e dhunës nga teknologjia ndaj grave në rajon dhe ndikimin e saj në qëndrimet, përvojat dhe aksesin ndaj shërbimeve të grave dhe vajzave, hulumtimi zbulon se më shumë se gjysma e grave (53.2%) në Evropë dhe Azinë Qendrore, veçanërisht nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Kirgistani, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Taxhikistani, Turqia dhe Ukraina, kanë përjetuar dhunë nga teknologjia gjatë jetës së tyre.

Veçanërisht, më shumë se një e treta e grave që përballen me dhunën nga teknologjia e hasën atë në platformat e njohura të mediave sociale, ndërsa 1 në 10 kishte përvoja të ngjashme me e-mail ose aplikacione të ndryshme komunikimi.

Gülden Türköz-Cosslett, Drejtoresha Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, theksoi rolin e dyfishtë të teknologjisë si një mundësues fuqizimi por për fat të keq dhe si një mjet për dhunën e intensifikuar me bazë gjinore.

“Në peizazhin gjithnjë në zhvillim të shekullit të 21-të, digjitalizimi vazhdon të formësojë botën tonë. Ky hulumtim, i nisur në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, na sjell më afër kuptimit të dhunës nga teknologjia ndaj grave. Në të gjitha format e saj, dhuna e lehtësuar nga teknologjia ka të njëjtat motive: të kontrollojë, të margjinalizojë dhe kufizojë lirinë e grave,” tha Gülden Türköz-Cosslett.

Auður Edda Jökulsdóttir, i dërguar i posaçëm për barazinë gjinore në Drejtorinë për Çështjet Ndërkombëtare dhe Politikat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Islandës, theksoi rritjen globale të dhunës nga teknologjia ndaj grave dhe theksoi nevojën urgjente për zgjidhje parandaluese.
“Gjatë viteve të fundit, fenomeni i dhunës nga teknologjia ndaj grave në të gjitha format e saj është përshpejtuar. Ne vazhdojmë të kemi boshllëqe në politika, qasje programore dhe mbledhje të të dhënave për të trajtuar në mënyrë efektive këtë çështje. Një veprim i koordinuar dhe shkëmbimi i praktikave më të mira në vende dhe sektorë është i domosdoshëm”, tha Jökulsdóttir.

Hulumtuesja kryesore Marija Babovic shpalosi përfundimet kryesore dhe gjetjet kritike, duke u mbështetur në anketat me mbi 12,000 gra në të gjithë rajonet dhe intervistat me përfaqësuesit e shtetit dhe shoqërisë civile.
Një rezultat domethënës theksoi se ndërsa teknologjia dhe digjitalizimi ofrojnë mjete të fuqishme për fuqizimin e grave, ato gjithashtu u ofrojnë dhunuesve mjete për të kryer dhe intensifikuar dhunën kundër grave.
“Përparimet e shpejta në teknologji dhe keqpërdorimi i saj si pasojë e tejkalojnë aftësinë e aktorëve shtetërorë dhe të shoqërisë civile për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj grave”, tha Marija Babovic.

Veronica Teleucă, koordinatore e Koalicionit Kombëtar Jeta pa dhunë nga Moldavia, pohoi se dhuna nga teknologjia është një formë e re e dhunës për profesionistët që punojnë me gratë dhe fëmijët e mbijetuar të dhunës.
“Është një nga format e shumta të dhunës me bazë gjinore. Në praktikën tonë, ajo plotëson, përjetëson dhe përkeqëson format e dhunës jashtë linje”, tha Veronica Teleucă.

Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri, përshëndeti publikimin e hulumtimit, duke theksuar mungesën e studimeve, analizave dhe monitorimeve të dukshme për këtë çështje në Shqipëri.
“Ky hulumtim na ndihmon të avokojmë për politika dhe strategji, duke bashkuar perspektivat kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Shqipëri përballemi me sfida për shkak të mungesës së mirëkuptimit dhe kapaciteteve për t’u përballur me këtë problem”, tha Gajda.

Cindy Southworth, Shefja e Sigurisë së Grave në Metahared, ndau angazhimin e kompanisë për të parandaluar dhunën e lehtësuar nga teknologjia ndaj grave përmes mjeteve të reja në platformën e tyre të mediave sociale. “Meta ka zhvilluar veçori për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe ngacmimet, si paralajmërimi i komenteve. Kur përdoruesit përpiqen të postojnë një koment të dëmshëm, platforma i paralajmëron ata se komenti mund të jetë i dëmshëm për të tjerët. Kjo ka nxitur ndryshimin e sjelljes midis përdoruesve të platformës.”

Në mbyllje, Katri Viinikka, Ambasadorja e Finlandës për Barazinë Gjinore, theksoi se kjo pjesë e re e hulumtimit qëndron si një moment historik i rëndësishëm. “Mungesa e të dhënave për dhunën e lehtësuar nga teknologjia ndaj grave është e madhe. Për të trajtuar këtë problem, informacioni është parakusht.”