Kushtetuesja stopon grafën etnike në certifikata!

Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar përkohësisht dispozitën që në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes të shkruhet edhe përkatësia etnike. Kjo do të mbetet në fuqi deri sa Gjykata të sjellë një vendim përfundimtar për këtë çështje që para Kushtetueses e ka ngritur partia “Levica”, shkruan TV21. Zëdhënësja e Gjykatës, Hristina Bellovksa, duke folur para gazetarëve tha se Gjykata shpreh dyshim për kushtetutshmërinë në nenet që parashohin deklarimin e përkatësisë etnike, për shkak se kjo vlerësohet si ndjenjë e brendshme dhe private e një individi në dorë të të cilit është vendimi nëse do të deklarohet se a i përket ndonjë komuniteti etnik. Përndryshe ndryshimet ligjore për këtë çështje i ka iniciuar ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, me synimin për të shmangur keqpërdorimin e etnisë gjatë punësimeve, pasi që shpesh për të fituar një vend pune, pjesëtarë të një komuniteti të caktuar japin deklarime të rrejshme të përkatësisë së tyre etnike.

Marketing

“Prej sot e deri në një vendim përfundimtar të gjykatës nuk guxohet nga qytetarët të kërkohen të këtilla të dhëna për etninë, shënimin e etnisë në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes, për shkak se është sjellë e ashtuquajtura “masë e përkohshme”, deklaroi Hristina Bellovksa, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.