Rama për vizitën e Blinken në Tiranë: Ka domethënie të veçantë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pyetur për vizitën që do të zhvillojë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Marketing

Kreu i qeverisë theksoi se fakti që diplomati amerikan zgjodhi të vizitojë kryeqytetin shqiptar, tregon se çfarë rëndësie ka Shqipëria për aleatët ndërkombëtarë por gjithashtu edhe për rajonin.

“Në radhë të parë besoj që ka një domethënie të veçantë ardhja e sekretarit të shtetit në Tiranë për kontekstin në të cilën sot ndodhet Evropa dhe bota, për kohën shumë të ngarkuar për një sekretar shteti që fakti se gjen të nevojshme dhe vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar. Si pikë referimi për rajonin flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe çfarë përfaqëson sot në sytë e aleatëve tanë lidhur me këtë rajon, ku me krenari e them se Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, rrugën e bashkëpunimit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për t’u ndarë nga një e kaluar me tragjedi, prapambetje, me raste të pa fund të humbura për t’i lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjera”, tha Rama./abcnews.al