Taravari: Shumica e të burgosurve politikë në raste të montuara janë shqiptarë

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot zhvilloi takim me kryetarin e Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Pollozhani.

Marketing

Në takim u bisedua për përpilimin e një ligji për dëmshpërblimin e këtyre të burgosurve politikë si dhe për rastet e montuara siç është rastin “Monstra”, “Alfa”, “Sopoti” dhe për pafajësinë e këtyre njerëzve.

“Sot kisha kënaqësi të takohem me një grup të njerëzve të cilët janë prej Shoqatës së të burgosurve politikë, me të cilët biseduam për telashet dhe hallet e tyre. U bisedua për një ligj për të cilin ata kanë biseduar edhe me partitë tjera politike prej vitit 2004 për zhdëmtimin e këtyre personave të cilët kanë qenë të burgosur politikisht. Po ashtu biseduam edhe për rastet e montuara të cilat mbeten enigmatike dhe pa sqarime”, u shpreh Taravari pas takimit.

Sipas Taravarit, shumica e rasteve të montuara politikisht kanë prapavijë etnike ose njerëzit që janë të burgosur politikisht janë shqiptarë.