Zyrtare, UEFA nis hetim për Mirlind Dakun dhe FSHF-në

Pas takimit me Italinë, UEFA ka nisur një hetim tjetër për Shqipërinë, kësaj radhe për takimin kundër Kroacisë.

Marketing

Lajmin e ka konfirmuar vetë organi më i lartë i futbollit në Europë, ku shkruan se kjo ka ardhur si pasojë e sjelljes jo të duhur të tifozëve me thirrje diskriminuese dhe racistë, gjithashtu dhe për festën e Mirlind Dakut.

“Në përputhje me nenin 31(4) të Rregullores disiplinore të UEFA-s, një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar sot për të kryer një hetim në lidhje me sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese nga mbështetësit që dyshohet se kanë ndodhur në kuadër të Kampionatit Europian 2024 në ndeshjen e fazës së grupeve ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit (HNS) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë.

Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur.

Në lidhje me ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë, është hapur një hetim në lidhje me sjelljen e supozuar të papërshtatshme të lojtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Mirlind Daku.

Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”, shkruan UEFA në komunikatën e saj.