Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka dërguar një mesazh urimi
me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, duke e vlerësuar këtë ditë
si një moment kremteje dhe reflektimi për të gjithë ata që kanë
kontribuar për mirëqenien e kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Ibrahimi ka theksuar se kjo ditë është një rast për
të reflektuar mbi pozitën e shqiptarëve në Europë, Ballkan dhe në vendin
tonë, duke vënë në pah afrimin e shqiptarëve si komb me Bashkimin
Europian.
“Ne shqiptarët, si komb, jemi më afër se kurdoherë me Bashkimin
Europian, ndërsa në vendin tonë janë pikërisht shqiptarët që janë
flamurë të këtij integrimi,” ka deklaruar ai.
Ibrahimi ka shprehur besimin se e ardhmja i përket shqiptarëve në një
botë të re, të integruar dhe të zhvilluar, duke uruar që shqiptarët të
jenë flamurtarë të paqes, prosperitetit dhe mirëqenies në rajon dhe në
vendin tonë.
Mesazhi i tij përfundon me urimin për një jetë shqiptare plot suksese
dhe arritje, duke theksuar simbolikën e flamurit kombëtar si përfaqësues
të këtyre idealeve.