Arbitri i finales Real-Barca shpërthen në lot, kjo është arsyeja

“Kur djali yt shkon në shkollë dhe i thonë që babai i tij është hajdut dhe ai kthehet në shtëpi duke qarë, është një vuajtje e vërtetë.”

Ricardo De Burgos Bengoetxea, arbitri i caktuar për finalen e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit, e planifikuar për të shtunën në orën 22:00 në Sevilje, shpërtheu në lot gjatë konferencës për shtyp një ditë para ndeshjes.

“Ajo që përpiqem të bëj është ta edukoj djalin tim, t’i them që babai i tij është i ndershëm, që bën gabime si çdo sportist tjetër. Është me të vërtetë e vështirë, nuk ia rekomandoj askujt”, tha gjyqtari, që është në shënjestër të Real Madrid TV, ashtu si edhe gjithë trupa e arbitrave, për gabimet e pretenduara ndaj skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti.

“Ditën kur do të largohem nga ky profesion, dua që djali im të jetë krenar për atë që ishte babai i tij dhe për atë që përfaqëson arbitrimi, që na ka dhënë shumë vlera. Nuk është e drejtë, duke parë çfarë po kalojnë shumë kolegë të mi, jo vetëm në futbollin profesionist. Videot nga Real Madrid TV na vendosin nën një presion të madh dhe kanë pasoja serioze edhe në jetën tënde private”, shtoi ai.

De Burgos Bengoetxea theksoi se është momenti për të “reflektuar” mbi situatën aktuale të futbollit spanjoll, duke thënë se disa kolegë të tij kanë vendosur të zbresin në kategori më të ulëta për të shmangur presionin e niveleve të larta.

Televizioni i klubit të Real Madridit prodhon çdo javë video për të diskredituar arbitrat e ndeshjeve të ardhshme. Por presioni është rritur që nga shkurti, kur klubi nisi një luftë institucionale kundër një sistemi arbitrash “plotësisht të diskredituar” dhe një “sistemi të korruptuar nga brenda”.

Në një video të transmetuar nga Real Madrid TV thuhej se Real Madridi kishte fituar 64% të ndeshjeve të arbitruara nga De Burgos, në krahasim me 81% të Barcelonës nën drejtimin e tij. Një zë anonim e quante këtë “një diferencë të pabesueshme”, duke vënë në dyshim aftësinë e tij dhe duke treguar pamje të gabimeve të supozuara të tij.

Videoja shoqërohej me një muzikë dramatike. Nuk specifikohej kush ishin kundërshtarët në ato ndeshje dhe as nëse ishin luajtur në shtëpi apo në transfertë. Sipas arbitrave, kjo është një përpjekje e Real Madridit për të ushtruar presion përpara ndeshjeve.

Televizioni i klubit ka publikuar rregullisht video që diskreditojnë arbitrat. Kjo është pjesë e një fushate të ashpër publike që klubi ka nisur këtë sezon kundër atyre që kontrollojnë rregullat e futbollit.

Në shkurt, klubi i dërgoi një letër Federatës Spanjolle të Futbollit duke pretenduar se 36 herë kampionët janë dëmtuar sistematikisht nga vendimet arbitrale. Thuhej se “vendimet kundër Real Madridit kanë arritur një pikë të tillë që manipulimi i garës nuk mund të injorohet më”.

Marketing