Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përkujtuar 2 Majin si një nga datat më të rëndësishme në historinë tonë, duke theksuar rolin e saj si simbol i lirisë dhe qëndresës së popullit.
Në deklaratën e tij, Mexhiti u shpreh se shpallja e Karadakut Zonë e Lirë përfaqëson një moment kyç që dëshmon vendosmërinë dhe sakrificën e njerëzve për të jetuar të lirë.
“2 Maji mbetet një dëshmi e gjallë e guximit dhe përkushtimit të atyre që nuk u dorëzuan përballë sfidave. Falë sakrificës së tyre, u hap një kapitull i ri shprese dhe dinjiteti për vendin tonë,” deklaroi ai.
Ai shtoi se kjo ditë duhet të shërbejë si kujtesë dhe frymëzim për brezat e rinj, që të ruajnë dhe forcojnë vlerat për të cilat u luftua.
“Sot përulemi me respekt dhe mirënjohje para të gjithë atyre që kontribuuan në atë rrugëtim historik. Liria që gëzojmë sot është trashëgimi e tyre dhe obligim për ne që ta mbrojmë,” theksoi Mexhiti.
Në fund të deklaratës së tij, ai bëri thirrje për unitet dhe respekt ndaj historisë, duke nderuar të gjithë të rënët që dhanë jetën për lirinë.
“Lavdi dhe nder për të gjithë dëshmorët. Historia jonë është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen,” përfundoi kryetari i Çairit. /
Aktuale.mk
