Qeveria e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës ka hequr të gjitha pengesat.
Euforia futbollistike në Bosnjë e Hercegovinë ka shkuar aq larg, sa Qeveria e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, njëri nga dy entitetet e vendit, u ka rekomanduar punëdhënësve që më 2 korrik ta shtyjnë fillimin e orarit të punës. Kjo bëhet për shkak të fillimit të vonshëm të ndeshjes së Kampionatit Botëror ndërmjet përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës dhe nikoqirit, SHBA-së, e cila do të zhvillohet natën mes së mërkurës dhe së enjtes, në orën 02:00 pas mesnate.
Kjo është një rekomandim i Qeverisë, i dhënë me propozim të Ministrisë Federale të Punës dhe Politikës Sociale. Punëdhënësve u rekomandohet që, nëse kanë mundësi, ta përshtatin organizimin e punës me një fillim më të vonshëm të ditës së punës, ose t’u lejojnë të punësuarve që dëshirojnë të shfrytëzojnë pushim vjetor, pushim me pagesë apo pa pagesë.
Deri në agim
Qeveria e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës gjithashtu u ka rekomanduar njësive lokale që t’u lejojnë objekteve hotelierike të punojnë deri në orën 06:00 të mëngjesit, në mënyrë që qytetarët ta ndjekin së bashku ndeshjen.
Ministri federal i Punës dhe Politikës Sociale, Adnan Deliq nga partia “Narod i Pravda”, tha se rekomandimi nuk është dhënë sepse një ndeshje është më e rëndësishme se puna, por sepse ekzistojnë momente që “e tejkalojnë sportin” dhe bëhen pjesë e kujtesës së përbashkët të vendit.
“Përfaqësuesja jonë e ka bashkuar Bosnjë e Hercegovinën në një mënyrë që pak kush mund ta bëjë. Kur i gjithë vendi merr frymë si një, institucionet kanë obligim ta njohin vlerën e momenteve të tilla”, deklaroi Deliq.
Këto masa nuk janë propozuar nga autoritetet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, e as nga autoritetet e entitetit Republika Sërpska. Shikimi i organizuar dhe mbështetja për përfaqësuesen e Bosnjë e Hercegovinës është vërejtur kryesisht në komunitetet me shumicë boshnjake, ndërsa nuk është vërejtur në Republika Sërpska apo në komunitetet me shumicë kroate në Bosnjë e Hercegovinë.
Në këto zona, organizimi i ndjekjes së ndeshjeve të përfaqësueses kroate të futbollit tradicionalisht është shumë më i fuqishëm. / Aktuale.mk
