“Kërkova pagën, ata…”/ Kamarieri 18-vjeçar rrëfen dhunën barbare: Më kërcënonin se do të më vrisnin dhe do më zhduknin trupin!

“Kërkova pagën, ata…”/ Kamarieri 18-vjeçar rrëfen dhunën barbare: Më kërcënonin se do të më vrisnin dhe do më zhduknin trupin!

Zbardhet dëshmia tronditëse e Genti Nelës, kamarierit që u dhunua barbarisht nga pronarët e hotelit ku ishte i punësuar, pasi iu kërkoi pagesën, për shkak se do të niste një punë tjetër.

Për dhunimin e Nelit mbrëmjen e 27 gushtit janë arrestuar dhe po mbahen nën arrest me burg me afat 45 ditor Florian Habilaj dhe Enold Dragoti.

Ndërsa janë në kërkim dy persona të tjerë. Pas ngjarjes u arrestua dhe xhaxhai i kamarierit, i cili shkoi në ndihmë të nipit, por u arrestua për shkak se iu gjet armë dhe municione në makinë. 

Kallëzimi i kamarierit: Më datë 10.07.2026 Genti Nela thotë se ka filluar punë si banakier në hotel-restorantin “FLAR”, i ndodhur në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës ka biseduar me shtetasit Florian dhe Arbër Habilaj. Pagën e parë e ka marrë më datë 10.08.2026 dhe më pas ka vijuar normalisht punën. Më datë 27.08.2026 u ka kërkuar pagën shtetasve Florian dhe Arbër Habilaj, pasi kishte vendosur të vazhdonte punën diku tjetër.

Të dy kanë qenë të pranishëm në momentin kur ua ka bërë me dije këtë vendim, por nuk e kanë pranuar largimin e tij nga puna. Së bashku me ta kanë qenë edhe shtetasit Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha, ku ky i fundit është bashkëshorti i motrës së Florianit dhe të Arbërit, ndërsa Enoldi është shok i tyre.

Nela thotë se pasi ata nuk e kanë pranuar largimin e tij nga puna, është sharë nga të dy vëllezërit dhe se personi i parë që e ka goditur ka qenë Floriani, i cili fillimisht e ka goditur me grusht. Më pas, Arbëri e ka goditur me një tavëll qelqi në kokë, në fytyrë dhe në trup.

Gjithashtu është goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Marigleni e ka mbajtur gjatë gjithë kohës, duke e penguar të largohej, ndërkohë që të tjerët e godisnin vazhdimisht.

Ai shpjegoi se është goditur shumë herë pa ndërprerje dhe se nuk ka pasur mundësi të largohej, pasi ndodhej pranë banakut dhe ata i kishin bllokuar rrugën. 

Nela ka theksuar se është ndjerë në rrezik për jetën, pasi ishte përballë katër personave që po përdornin sende të forta dhe se, si pasojë e goditjeve, kishte gjakderdhje të shumta.

Sipas tij, gjatë kohës që e godisnin, ata shpreheshin me fjalë se do ta vrisnin dhe përdornin shprehje fyese ndaj tij. Në këto rrethana, për t’u mbrojtur, ka marrë një gotë qelqi dhe ka goditur Florianin në kokë.

Gjithashtu i ka gjuajtur edhe me grushte, pasi nuk kishte mundësi tjetër për t’i larguar, duke qenë se i kishin bllokuar rrugën. Pas goditjes me gotë, ka arritur të largohet me vrap, por është ndjekur nga të katërt dhe i është bllokuan sërish rruga, ku, sipas deklarimit të tij, është goditur përsëri. 

Më pas ka arritur të largohet edhe një herë me vrap, ka telefonuar nënën e tij dhe e ka njoftuar për ngjarjen. Pas kësaj është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzim.

Deklaruesi ka shpjeguar se nuk ka pasur asnjëherë më pare konflikte me personat e përmendur dhe se, gjatë gjithë periudhës së punësimit, ka qenë korrekt në kryerjen e detyrave të tij, madje, sipas tij, është vlerësuar dhe falënderuar për punën që kryente.

Ai ka deklaruar gjithashtu se, gjatë gjithë kohës që është goditur, është kërcënuar vazhdimisht se do ta vrisnin dhe do ta zhdukin. Sipas tij, ata i thoshin njëri-tjetrit ta godisnin dhe ta vrisnin dhe, edhe pse ai ishte i gjakosur, vazhdonin ta nxisnin njëri-tjetrin të vazhdonin goditjet.

Po ashtu, i kanë thënë se nuk do ta lejonin të shkonte në polici dhe se nuk do ta linin të dilte nga banaku për të bërë kallëzim. Sipas deklarimit të tij, të njëjtat kërcënime i janë bërë edhe kur i kanë dalë në rrugë për herë të dytë. 

Megjithatë, ka arritur të largohet me vrap. Në përfundim, ai ka shpjeguar se, gjatë gjithë ngjarjes, është ndjerë sikur po përjetonte momentet e fundit të jetës së tij, pasi katër persona po e godisnin pa mëshirë. Ai është 18 vjeç, ndërsa Floriani është 30 vjeç dhe Arbëri 36 vjeç. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF