Kasami: Viti i ri shkollor nis me kushte të përmirësuara në SHFK “Goce Dellçev”
Viti i ri shkollor ka nisur me kushte të përmirësuara për nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Goce Dellçev” në Tetovë. Me rastin e fillimit të vitit shkollor, në këtë shkollë është promovuar salla e sportit e renovuar, e cila tashmë është vënë në dispozicion të nxënësve.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se renovimi i sallës së sportit synon t’u krijojë nxënësve kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
“Sot, me fillimin e vitit të ri shkollor, në SHFK ‘Goce Dellçev’ promovuam sallën e sportit të renovuar, e cila tashmë është e gatshme për përdorim dhe do t’u ofrojë nxënësve kushte më të mira për aktivitetet sportive”, deklaroi Kasami.
Përveç sallës sportive, në shkollë është realizuar edhe lyerja e klasave, me qëllim përmirësimin e ambienteve ku zhvillohet procesi mësimor.
Sipas Kasamit, këto ndërhyrje kanë krijuar hapësira më të pastra dhe më të përshtatshme për nxënësit.
“Gjithashtu, në këtë shkollë është realizuar lyerja e klasave, duke krijuar ambiente më të pastra, më të këndshme dhe më të përshtatshme për mësim”, tha kryetari i Tetovës.
Kasami theksoi se investimet në infrastrukturën shkollore do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me synim përmirësimin e kushteve për nxënësit.
“Vazhdojmë të investojmë në shkollat tona, për kushte më të mira për nxënësit dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh Kasami. / Aktuale.mk
