Gjatë kohës sa ishte aktiv në boks boksieri i njohur, Luan Krasniqi i bëri krenar të gjithë shqiptarët, edhe pse përfaqësoi Gjermaninë.
Në një intervistë për portalin rtv21.tv, Krasniqi ka thënë se edhe tani është shpesh në ring por vetëm sa për hobi. I pyetur se me cilin kundërshtar do pranonte të rikthehet në një tjetër duel në ring, ai tha se kundërshtarët sportiv i përkasin të kaluarës.
“Tashmë kundërshtarët sportiv i përkasin të kaluarës, atëherë kur sporti i boksit kishte jehonë dhe zgjonte interesim gjithandej. I ëndërroj spektaklet si të atëhershmet por me aktor të tjerë. Uroj të përjetojmë atmosferë aq madhështore në salla dhe t’i gëzohemi sukseseve të boksierëve të rinj”, ka deklaruar Luani.
Gjermania për Luanin ishte realizmi i ëndrrës që e kishte që në fëmijëri.
Krasniqi ka folur për rrugëtimin e tij në boks, që e nisi në Bjeshkët e Junikut dhe e vazhdoi në një vend që sportit të boksit i kushtohej rëndësi e veçantë.
“Sporti i boksit dhe unë u takuam që herët në fëmijëri, diku bjeshkëve të Junikut, por, dëshira ime u realizua në vitin 1987 kur migrova në Gjermani dhe u vendosa në qytetin Rottweil. Aty, sportit të boksit i kushtohej rëndësi e veçantë. Me të arritur në Rottweil, u gëzova që mu dha mundësia të prezantohem te Theo Kerekesch i cili, falë zemërgjerësisë, gadishmërisë për të ndihmuar, më rradhiti në ekipin e të rinjëve. Trajneri do ta ketë vërejtur dëshirën time po se po për tu marr me boks por edhe talentin, pamjen fizike por edhe forcën. ndoshta. Natyrisht që Theo më përkushtohej dhe garat vijuese më mundësuan ta dëshmoj veten. Pas fitoreve të njëpasnjëshme, natyrshëm shtohej vetëbesimi dhe bindja se mund të arrij më shumë në këtë sport“, ka deklaruar Luani.
Medaljet e fituara për Luanin paraqesin një thesar që sa herë i sheh siç ka thënë ai ai trimërohet. Veç medaljeve dhe artikujve në gazeta e revistave që lartësuan emrin e tij, grushti i fortë ka treguar se të veçantë e ka edhe librin që është botuar në vitin 2005 kushtuar rrugëtimit të tij në boks.
“Disa qindra medalje e kupa më janë ndarë gjatë karierës time dhe të gjitha ato, bashkë me disa mijëra artikuj gazetash e revistash, paraqesin një thesar që sa herë i shikoj, më trimërojnë, sikundër edhe libri i botuar në vitin 2005 kushtuar rrugëtimit tim në sportin e boksit”, ka theksuar Luani.
Jeta e Luan Krasniqit pas përfundimit të karrierës në boks, me çka merret ai?
Krasniqi ka treguar se jeton ende me boksin sepse e ka ushqim shpirtëror. Duket se rrugëtimin e Luanit po e ndjekin nipërit (djemtë e vëllait), të cilët ai po i përkrahë vazhdimisht.
“Shpesh angazhohem të komentoj ngjarje të boksit, kur kërkohet mendimi im për te, e shprehi me dëshirë dhe, kohëve të fundit, i mbështes djemtë e vëllaut tim, Ardianin dhe Arianitin boksier te talentuar dhe me optimizëm i shoh ngritjen e tyre në sportin e boksit. Poashtu, me dëshirë angazhohem në aktivitetet humanitare, në kultivimin e kontakteve me shkollat dhe asociacionet e shumta në Gjermani dhe thellimin e bashkëpunimit me insitucionet arsimore të Kosovës në kuadër të projektit që zhvillohet nën patronatin tim. Poashtu edhe për SOS Fshatin e fëmijëve angazhohem për të vazhduar kontinuitetin e mëhershëm“, ka shtuar Luani.
Në fund ai ka treguar se krahas obligimeve si prind, mundohet të gjej kohë për vrapim, not e ushtrime në ring.
“Me një fjalë, nuk kam kohë të pushoj dhe nuk e kam ndërmend të ndalem”, ka thënë Luani.