A po përçahet sërish vota shqiptare në Bërvenicë? BDI nxjerr kandidat edhe pse humbi nga VLEN-i
Nxjerrja e kandidatit nga ana e BDI-së për Bërvenicën hap një tjetër debat në opinion: garë reale për komunën apo strategji për të fragmentuar votën shqiptare?
Pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara, kjo kandidaturë ngre një pyetje politike që nuk mund të anashkalohet;
Nëse BDI e di se nuk ka kapacitet për të fituar garën, pse futet në zgjedhje?
Një nga skenarët që tashmë po diskutohet është se një kandidaturë e tillë mund të ndikojë në copëtimin e votës shqiptare, duke fragmentuar elektoratin dhe duke krijuar hapësirë që fitorja të vendoset jo nga forca e shumicës, por nga përçarja e saj.
Kjo është pikërisht pika ku VLEN duhet ta vendosë debatin. Sepse qytetarët shqiptarë të Bërvenicës duhet të pyesin; a po votohet për një alternativë që mund të sjellë ndryshim, apo po përdoret vota shqiptare për të bërë lojëra politike?
BDI mund ta quajë kandidaturën e saj “vizion”, “unitet” dhe “përgjegjësi”, por qytetarët kanë të drejtë të shohin përtej sloganeve dhe të analizojnë pasojën politike të kësaj kandidature.
Nëse qëllimi është realisht zhvillimi i Bërvenicës, atëherë duhet të shpjegohet qartë se çfarë ofron BDI që nuk e kanë ofruar më parë dhe pse qytetarët duhet ta shohin këtë kandidaturë si alternativë reale.
Sepse një gjë është të hysh në garë për të fituar, krejt tjetër është të hysh në garë duke rrezikuar të ndash votën shqiptare.
Në Bërvenicë, qytetarët nuk kanë nevojë për eksperimente politike dhe kalkulime partiake. Ata kanë nevojë për një alternativë që mund të fitojë, të qeverisë dhe të sjellë ndryshim. / Aktuale.mk
