Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është rrëfyer në lidhje me situatën aktuale që po e rëndon futbollin evropian.
Në një intervistë në Klan Kosova, Ademi ka folur edhe për ndeshjen play-off të EURO 2020 mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e paraparë të luhet më 26 mars.
Sikur ndeshjet tjera evropiane, edhe kjo ndeshje rrezikon të shtyhet shkaku i rrezikut nga përhapja e madhe e koronavirusit në Evropë. Ditë më parë është përfolur që kjo ndeshje të luhet në një terren neutral, por Agim Ademi nuk e sheh opsion të mirë këtë.
“Nuk mendoj se ka opsione të favorshme për t’u zhvilluar kjo ndeshje”, tha Ademi në ‘Sports Show’. “Tashmë e gjithë Evropa është prekur nga ky virus, kështu që nuk ka opsione”, shtoi ai.
I pari i futbollit kosovar foli për mundësinë e anulimit të ndeshjes. “Futbolli luhet për tifozë, por për shkak të rrethanave, ne duhet ta respektojmë vendimin”.
Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini është rrëfyer në lidhje me situatën e jashtëzakonshme.
Sejdini në mes të tjerash thotë se bazuar në rrethanat aktuale, kjo ndeshje duhet të anulohet.
“Në Itali kemi tre futbollistë që luajnë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, por ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Sejdini në ‘Sports Show”.
“Shpresoj se UEFA do të bëjë analiza të mira. Sipas meje, kjo ndeshje do të duhej të anulohej, dhe të luhej me tifozë”, vlerësoi i pari i futbollit maqedonas.