Administrata në protestë, kërkon rritje pagash / Protestuesit: Për ne gjevrek, për ju biftek

Qendra e Shkupit e bllokuar, jo për “Black Friday” por për të protestuar! Në fakt edhe protestuesit e quajnë e “premtja e zezë” nga që e gjithë administrata publike braktisi punën për të shprehur revoltën e tyre. Ме parulla në duar dhe fishkëllima, protestuesit u nisën nga objektet gjyqësore drejt Kuvendit. Nga Sindikata e të punësuarave në administratën gjyqësore dhe prokurorinë sërish kërkojnë rritje të pagave.

Marketing

“Dy muaj grevë në prokurori dhe akoma vazhdon, gjithë vitin protestë në gjykata. Bisedimet në Qeveri u ndërprenë për shkak të arrogancës së zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi. Dhe në buxhetin e vitit 2024 nuk ka asgjë për punëtorët por ka 78% paga për funksionarët. Për të qenë edhe më keq, Qeveria ka për qëllim që në afat sa më të shpejtë, me procedurë të shkurtuar me flamur evropian, t’i ndryshojë të gjitha ligjet aktuale, që të punësuarit në muajin mars të mos marrin harmonizim me rritjen e pagës minimale”, tha Tërpe Deanovski, Sindikata e SPOGJ-it.

Përkundër rritjes 10% të pagave nga shtatori në bazë të marrëveshjes së re kolektive, sindikalistët druajnë se ti nxjerrin “jashtë loje” me ndryshimet ligjore që pritet të bëhen. Sindikalistët kërcënojnë me bojkot të punës.

“A duhet akoma të heshtim ne punonjësit e administratës gjyqësore, të cilët punojmë gjithçka! Kryejmë punë të shumta që nuk janë të shpërndara në sistematizim dhe për të njëjtat nuk shpërblehemi. Ne kërkojmë të paguhemi për atë që punojmë, nuk kërkojmë lëmoshë por të na rriten pagat për jetë me dinjitet”, u shpreh Izabella Ilieva, Sindikata e të punësuarve në Prokuroritë Publike.

“Ne kërkojmë: paga evropiane për ta – paga evropiane për neve! Ne sot jemi mbledhë të gjitha sindikatat për të shprehur revoltën dhe ti rikujtojmë që nga ne varen. Po vijnë zgjedhjet, jo që përfaqësojmë ndonjë parti, por të jenë të vetëdijshëm që qytetar i kënaqur, nga sektori publik apo privat, do të reflektoj edhe tek ata që udhëheqin me shtetin”, tha Goran Risteski, Kryetar i Sindikatës së pavarur të administratës shtetërore.

Derisa protesta vazhdonte, nga të gjitha anët vinin të punësuarit e sektorit publik, madje nga Avokati i Popullit dhe Avokati i shtetit braktisën zyrat dhe iu bashkëngjiten protestës. Ata dhanë një mesazh.

“Shtëpia ligjvënëse të votojë buxhetin që do të nënkuptonte paga dhe kushte më të mira për nëpunësit gjyqësor, kurse pushteti ekzekutiv ti vazhdojë bisedimet ku duhet të jenë të pranishëm të punësuarit tanë”, theksoi Borçe Mirçevski, Kryetar i Shoqatës së Administratës Gjyqësore.

Protestuesit, vazhduan nga Ministria e Drejtësisë ku edhe aty brohoritën për minuta të tërë dhe më pas marshuan drejt godinës së Qeverisë. Aty kërkuan takim për të rifilluar negociatat me autoritetet, por heshtje totale pati nga adresa “Ilindenska numër 2”. Protestuesit më pas u shpërndanë, por jo në punë.

Sot protesta pati edhe nga mantel bardhët, të cilët protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe ata kërkuan rritje të pagave, kushteve në punë dhe rregullimin e statusit të tyre në vendet të punës. Por, për të mbajtur në tension kryeqytetin, pasdite protestuan edhe shoqatat e komunitetit romë, të cilët ishin kundër drejtësisë selektive, siç thonë për qytetarët e kësaj bashkësie, nga organet gjyqësore në vend. /Alsat.mk