Kryetar i Lëvizjes BESA Afrim Gashi, përmes një urimi i uron të gjithë besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit duke uruar që këto ditë të jenë ditë të paqes shpirtërore.
“Në ditën kur miliona duar në malin e Arafatit janë ngritur drejt qiellit duke e lutur Perëndinë për paqe, mirëqenie dhe lumturi, si dhe duke qenë në prag të festës së madhe të Bajramit të Kurbanit, uroj nga thellësia e zemrës që të gjithë atyre atje Zoti t’ua pranojë lutjet dhe haxhin, ndërsa për neve, që e presim festën e madhe të Bajramit, uroj që këto ditë të jenë ditë të paqes sonë shpirtërore, të mbrujtjes me dashuri, të jenë ditë të vizitave, të buzëqeshjeve dhe përshëndetjeve.
Festa e Kurban Bajramit na e kujton sakrificën më sublime në sipërfaqe të Tokës, që e bëri Babai i Monoteizmit – Ibrahimi, i cili në emër të vetëmohimit dhe paktit hyjnor ishte gati ta flijojë më të dashurin e tij në jetë – Ismailin. Në kohën kur e rikujtojmë këtë dhe na kaplon drithërima e sakrificës ibrahimiane, në vetvete na parashtrohet pyetja retorike e sakrificës sonë për gjëra që as afërsisht nuk janë të këtyre përmasave. Kjo festë është mësimi më i mirë se zjarri shuhet vetëm për ata që janë në gjendje që atë zjarr ta dashurisë ta fikin me ujin e sakrificës vetëmohuese!
Qoftë Bajrami i Kurbanit lajtmotivi i jetës sonë dhe njëherazi freski e memories sonë kolektive për të gjithë ata që u bënë kurban, duke sakrifikuar më të shtrenjtën e tyre për të mirën e brezave që erdhën pas, përfundon urimin Afrim Gashi, kryetari i Lëvizjes BESA.