Amerikanët kanë dalë në rrugë, të tmerruar nga katër videot shokuese të publikuara mbrëmë nga autoritetet në Memphis, Tenesi, të rrahjes së egër dhe fatale të 29-vjeçarit afrikano-amerikan Tire Nichols nga pesë oficerë.
Pamjet tregojnë sesi burri, i ndaluar më 7 janar 70 metra larg shtëpisë së tij, po ndiqet pasi i kishte shpëtuar një sjelljeje të dhunshme nga policët.
Pasi kapet, ai sulmohet me taser dhe spraj piperi, shtrihet përtokë, goditet me shkopinj, shkelma dhe grushtohet për katër minuta, ndërsa bërtet se nuk ka bërë asgjë dhe tre here thërret ‘mama’. Më pas qëndron i shtrirë në rrugë për 22 minuta duke pritur ambulancën. Babai i një djali 4-vjeçar, një skateboardist i aftë, vdiq tre ditë më vonë në spital nga plagët dhe gjakderdhja e brendshme. Tani familja kërkon drejtësi.
Ndryshe nga disa precedentë dramatikë të ngjashëm, edhe policët e përfshirë në këtë ngjarje janë me ngjyrë. Ngjarja ka nxitur mijëra njerëz të protestojnë duke kërkuar drejtësi për Nichols dhe t’i jepet fund “terrorit policor”. Protestat u shtrinë në Uashington, Atlanta, Çikago, Filadelfia, Detroit, Boston, Portland, Sacramento, San Francisko, Providence, Dallas dhe Nju Jork.
Deri tani ka pasur vetëm tre arrestime me disa përleshje në tubimin në Times Square, por në përgjithësi demonstratat kanë qenë paqësore, siç kishte kërkuar familja e viktimës dhe vetë presidenti Joe Biden. Kjo ndoshta edhe falë reagimit në kohë dhe transparent të autoriteteve, të cilët akuzuan menjëherë pesë oficerët e policisë (deri tani janë deklaruar të pafajshëm), duke pezulluar dy të tjerë në pritje të hetimeve për sjelljen e tyre. Por të gjitha qytetet kryesore amerikane janë në gatishmëri për fundjavën dhe Shtëpia e Bardhë ka kontaktuar kryetarët e bashkive të metropoleve në funksion të dhunës së mundshme.
Siguria e Kapitolit është forcuar gjithashtu. Biden, i cili telefonoi familjen e tij të premten, tha se ishte “i indinjuar dhe thellësisht i pikëlluar kur pa videon e tmerrshme të rrahjes”, duke e quajtur atë “një kujtim tjetër i dhimbshëm i frikës dhe traumës së thellë, dhimbjes dhe rraskapitjes që amerikanët me ngjyrë përjetojnë.” Presidenti gjithashtu bëri thirrje për “një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent” dhe rikujtoi apelin për Kongresin për të miratuar ligjin e reformës policore që mban emrin e George Floyd.