Agjencia e Zbatimit të Gjuhës vazhdon me trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve

Pas ndërprerjes njëmujore për shkak të masave kundër pandemisë, sot në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës vazhdoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve të sektorit publik, punën e të cilëve e përshëndetën kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, Tahir Hani.
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, i njoftoi pjesëmarrësit se programi i trajnimit do të zgjasë tre muaj. Për shkak të pandemisë ata janë ndarë në gjashtë grupe nga dhjetë veta. Ai shtoi se për këtë qëllim janë “zgjedhur profesorë eminentë të fushës së gjuhësisë dhe të terminologjisë përkatëse administrative nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Çdo institucion ka dërguar përfaqësues të vet dhe trajnimet do të mbahen aq sa do të ketë nevojë”.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit e grupit të tretë të trajnimit, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, tha se prej çastit kur u themelua Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, e ka arsyetuar ekzistimin e vet dhe vazhdon edhe më tej me një vrull për admirim, të zbatojë aktivitetet e duhura për të respektuar dispozitat ligjore dhe detyrimet kushtetuese të të gjitha palëve. Kryetari Xhaferi përshëndeti ambasadorin e OSBE-së, Klemens Koja, i cili, sipas tij, me përkushtim dhe përzemërsi e mbështet punën e agjencisë, por edhe atë të të gjitha institucioneve të tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

“Gjuha është materie e gjallë, vazhdimisht nën ndikim të rrjedhave, ndikimeve të ndryshme dhe andaj duhet të përshtatet, të modernizohet por, jo edhe të teprohet sepse, asgjë nuk mund të krahasohet dhe të tingëllojë më bukur se gjuha e pastër, standarde por përsëri, burimore.”, vuri në dukje midis tjerash Talat Xhaferi, duke i përshëndetur dhe duke u uruar punë të mbarë pjesëmarrësve.
Nëpërmjet platformës “Zoom”, ambasadori Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, e përshëndeti nismën e AZGJ-së për trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të sektorit publik. Ai tha: “Ne në Misionin e OSBE-së në Shkup besojmë se ruajtja e të drejtave individuale dhe të bashkësisë, respektimi i dallimeve, promovimi i larmisë etnike, kulturore e gjuhësore, si dhe nxitja e bashkëveprimit ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë, janë jetike për një shoqëri të pasur, gjithëpërfshirëse për të gjithë”.
Ambasadori Koja shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e bashkëpunimit me AZGJ-në, që nga themelimi i saj, duke shtuar se ky mision: “mbetet i përkushtuar në mbështetjen e të gjitha tentimeve për të konsoliduar sistematikisht një shoqëri gjithëpërfshirëse. Këtë e bëjmë në partneritet me të gjithë autoritetet, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës”.

Në emër të Qeverisë së RMV-së foli zëvendëssekretari i përgjithshëm, Tahir Hani, i cili në fillim citoi një mendimtar që ka thënë se çështja e gjuhës është tepër serioze që t’u lihet vetëm gjuhëtarëve, që do të thotë se edhe bartësit e funksioneve duhet të angazhohen për krijimin e terminologjisë dhe të standardeve të qëndrueshme.

“Përkthimi, lekturimi, por edhe korrektura, janë procese të lidhura ngushtë dhe plotësojnë njëra tjetrën”, tha ai, duke shtuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së RVM-së ka përkrahur dhe do të vijojë të mbështesë Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në përgatitjen e kuadrit profesional. Hani shprehu besimin e tij se trajnimet do të kontribuojnë në avancimin e standardeve për zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe. Ai, po ashtu, tha se sot situata në këtë drejtim ka avancuar, edhe pse akoma ka institucione të cilat nuk kanë siguruar numër të mjaftueshëm të përkthyesve, por dhe institucione që hasin në vështirësi kur është në pyetje terminologjia gjuhësore.