Pasi dje parlamenti i Maqedonisë, miratoi ndryshimet ligjore për ligjet që përshpejtojnë dhe lehtësojnë ndërtimin e projektit strategjik siç është Korridori 8-10D, ka reaguar kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti ka thënë se me këtë veprim deputetët mundësuan që Korridori 8-10D të ndërtohet edhe më shpejtë edhe më lirë dhe sipas tij, me këtë veprim të shumicës, i është dhënë fund bllokadës dhe obstruksioneve.
“Bashkë me kolegët deputetë të shumicës parlamentare me votimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore i dhamë fund bllokadës dhe obstruksioneve për realizimin e investimit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit, Korridorit 8 dhe 10D. Nuk do të lejojmë që të mbahet peng padrejtësisht ky projekt kapital që krijon perspektivë të re të zhvillimit ekonomik të vendit. Vazhdojmë me transparencë të plotë dhe me përkrahjen e SHBA-ve të punojmë për ndërtimin e korridoreve që janë shteg i domosdoshëm i ndërlidhjes rajonale dhe europiane”, ka shkruar Ahmeti.