Aksioni policorë në Kumanovë, 10 persona përfunduan në pranga- mes tyre policë dhe doganierë

Policia ka vënë në pranga 10 anëtarë të një grupi të organizuar kriminal nga Shkupi dhe Kumanova, të dyshuar për veprën penale “Trafikim” si dhe “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, shkruan Alsat. Në mesin e tyre ka edhe nëpunës policorë dhe doganierë.

Marketing

Sipas policisë, grupi i organizuar kriminal ka shpërndarë në treg prekursorë nga dogana e Aeroportit Ndërkombëtarë të Shkupit deri në kufirin me Kosovën.

“Katër nga anëtarët e grupit kriminal, në mesin e të cilëve dy nëpunës policorë dy herë kanë ndihmuar në transportin e paligjshëm me qëllim shitjen e prekursorëve, nga dogana e Aeroportit të Shkupit deri në afërsi të kufirit me Kosovën. Nëpunësit doganorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk kanë kryer kontrolle të duhura të mallrave sipas deklarimeve të transportuesve”, njoftojnë nga MPB-ja.

Prokuroria ka njoftuar se për rastin në fjalë është hapur procedurë hetimore ndaj 9 personave. Njëri nga të dyshuarit është në arrati.

“Doganierët e dyshuar në kundërshtim me kompetencat e tyre gjatë kontrollit nuk kanë ndërmarrë masa me të cilat do të kishin vërtetuar parregullsitë edhe pse moduli për menaxhimin me rreziqe gjatë kontrolleve ka detektuar kanal të kuq. Me këtë veprim kanë mundësuar që në kontrollet doganore të kalojnë mallra që nuk përputhen me deklarimet e evidentuara”, thonë nga Prokuroria.

Instancat ligj zbatuese bëjnë të ditur se grupi i organizuar kriminal ishte në ndjekje prej kohësh. Referuar hetimeve të autoriteteve, disa nga të dyshuarit posedojnë edhe precedent penal për vepra të ngjashme dhe vepra penale më të lehta.

Marketing