Policia e Maqedonisë së Veriut në orët e pasdites njoftoi që në katër shkollat e Shkupit, ku u raportuar për rrezik bombe, situata është stabile.
“Njoftojmë opinionin se janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme në lidhje me raportimet e sotme që në katër shkolla në Shkup janë marrë mesazhe në adresën elektronike me kërcënime për vendosjen e eksplozivëve”, sqaroi Ministria për Punë të Brendshme.
Policia sqaroi që menjëherë pas marrjes së informative, punonjësit e policisë kanë marrë masat për evakuimin e shkollave, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “raportim të rrejshëm”.
Ndryshe, edhe sot, për herë të dytë gjatë kësaj jave, janë dërguar kërcënime për bomba në katër shkolla të mesme në Shkup. Nxënësit dhe stafi janë evakuuar, ndërsa policia po kryen kontrolle antiterror, konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës.Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.
Policia të mërkurën ka thirrur në bisedë një person nga Shkupi lidhur me kërcënimet, por personi është liruar menjëherë dhe prokuroria ka thënë se nuk ka lidhje me kërcënimet e dërguara.
Ndërsa së fundmi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.