Alternativa pa vendim final për përfshirje në ekzekuti. Nga partia thonë se Kryesia Qendrore e Partisë pas mbledhjes së sotme ka autorizuar kryetarin Afrim Gashi që të negociojë me kryeministrin aktual Zoran Zaev ose eventualisht me mandatarin e ri për përfshirjen eventuale në Qeveri, shkruan TV21. Nga kjo parti thonë se vendimin final do ta merr Kuvendi Qendror i Alternativës, pas negociatave me ekzekutivin.
“Kryesia Qendrore e Partisë ka autorizuar kryetarin që të komunikojë me të gjithë autorët politik, në këtë rast edhe kryeministrin aktual, por edhe eventualisht mandatarin e ri, për të parë se cili është koncepti i tyre për të dalë nga kjo krizë. Ne do ta dëgjojmë versionin e tyre të zgjidhjes së këtij ngërçi, do të shohim a ka gatishmëri për program të përbashkët qeveritar, dhe a ka gatishmëri që në emër të këtyre synimeve partnerët e deritanishëm qeveritarë të heqin dorë nga një pjesë e pushtetit të tyre, për të krijuar një ekuilibër të ri”, tha mes tjerash zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.