Edhe pse marrëveshja e Prespës për kontestin e emrit me shtetin fqinj është garancë për paqë dhe stabilitet në rajon, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal ajo nuk do mund të jetësohet pa kaluar në Kuvendin Republikan.
Edhe përskaj thirrjeve të shumta nga ana e faktorit ndërkombëtar që e njëjta të miratohet në Kuvend, por gjithashtu edhe përskaj thirrjeve edhe të disa vendeve nga rajoni se Marrëveshja është me një rëndësi të madhe për stabilitetin e gjithë rajonit, profesori universitar Mersim Maksuti, konsideron se vështirë se palë mund të arrijnë kompromis me VMRO DPMNE- në për votimin e amendamenteve për ndryshimin e kushtetutës.
Megjithatë Maksuti shprehet se palët megjithatë duhet që të bëjnë përpjekje deri në fund për ta bindur opozitën maqedonase, sepse bëhet fjlë për të mirën e shtetit dhe të gjithë qytetarëve.
“Marrëveshja e Prespës është marrëveshje e cila zgjedh kontestin i cili është me dekada me shtetin tonë fqinj, dhe duke u nisur nga fakti se Marrëveshja e Prespës është një garanci për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit në përgjithësi, është e domosdoshme që edhe VMRO të arrijë dhe të bindet , apo të arrihet tek një kompromis me VMRO-në që të gjendet një gjuhë e përbashkët për votimin e amendamenteve për ndryshime kushtetues”, u shpreh analisti politik Mersim Maksuti.
Ndërkohë profesori universitar Bashkim Selmani , shprehet se VMRO me qëndrimet e saja anti-juridike dhe papërgjegjësinë të cilën po e tregon, po sjell një situatë e cila mund të ketë pasoja për sigurinë e vendit.
“Ndikimi rus jo vetëm që është i fuqishëm në Maqedoni por në të ardhmen mund të sjellë edhe kërcënime rreziqe tjera të cilët nuk shkojnë në favor të qytetarëve, prandaj mund të kërcënohet edhe siguria e përgjithshme ,tani ka edhe ndikime të elementeve ndërnacionale dhe ndëretnikë, sepse opsioni për BE dhe NATO nuk e arriti qëllimin e mirëpritur”, theksoi analisti politik Bashkim Selmani.
Të dy bashkëbiseduesit thonë se shqiptarët në këtë referendum treguan orientimin e tyre pro BE dhe NATO , por që nuk mund të realizohen për shkak të qëndrimeve skajshmërisht të polarizuara në bllokun politik maqedonas, Njëherit shprehin brengosje që amullia e krijuar do të mund të ndikojë akoma më shumë që të rinjtë perspektivën e tyre ta kërkojnë jashtë vendit.