Antikorrupsioni: E përkrahim “vetingun”, shumë qytetarë ankohen te ne nga gjykatësit dhe prokurorët

Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), Biljana Ivanovska, thotë se ky institucion e përkrah idenë për verifikim apo “veting” të gjykatësve dhe prokurorëve, duke e pasur parasysh se deri tek ata ka shumë ankesa nga qytetarët në lidhje me punën e gjykatësve dhe prokurorëve, njofton Portalb.mk.

Marketing

“E përkrahim “vetingun” dhe vlerësoj se mund të ndihmojë në zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve kualitativ, që është shumë e rëndësishme për ndërtimin e shtetit ligjor. Aq më shumë që deri në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit janë dërguar shumë paraqitje nga qytetarët të cilët nuk janë të kënaqur nga veprimi i gjykatësve dhe prokurorëve, që na tregon në ekzistimin e profesionalitetit të ulët dhe rrezikut të lartë nga korrupsioni i gjykatësve dhe prokurorëve”, thotë për Portalb.mk, Ivanovska.

Në opinion, së fundmi BDI-ja ka dorëzuar propozim-lgij në Kuvend për “veting” të funksionarëve, ndërkaq LSDM-ja, e ka drejtuar gishtin kah Antikorrupsioni duke vlerësuar se ata, me Ligjin e ri kanë kompetenca që të bëjnë kontrolle.

Antikorrupsioni të merr rol më të fuqishëm

Megjithatë, kryetarja Ivanovska, thotë se për “veting”, duhen patjetër ndryshime ligjore, ndërkaq tani për tani ata kanë kompetencë për kontroll vetëm për ata që janë gjykatës dhe prokurorë dhe nuk munden t’i kontrollojnë edhe kandidatët potencial.

“Për zbatimin e vetingut duhet të miratohet ligj me të cilin do të definohen bazat dhe shtyllat për kryerjen e vetingut si dhe institucionet që do të kenë kompetenca atë ta zbatojnë. (Shembull kontrollin e gjendjes pronësore, konfirmimin e kualifikimeve përkatëse, kontrollin e skandaleve korruptive etj.). Me ligjin për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, Antikorrupsioni kryen kontroll të gjendjes pronësore të personave të zgjedhur dhe emëruar (në mesin e të cilëve ka edhe gjykatës dhe prokurorë), por jo edhe të kandidatëve potencial për gjykatës dhe prokurorë”, shton Ivanovska.

Ndryshe, “VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.