Drejtori Sportiv i klubit futbollistik Prishtina Granit Begolli, ka njoftuar se ndeshja e paraparë të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Europa League në mes të Lincoln dhe Prishtinës, është anuluar pasi tetë futbollistë të klubit “bardhë e kaltër” kanë dalë pozitivë me COVID-19.
“Po të rejat e fundit janë se është zyrtare se ndeshja nuk do të zhvillohet, për shkak se tetë futbollistë tonë kanë rezultuar pozitivë. Testet janë bërë me të arritur në shtetin e Gjibraltarit. Kemi pritur më shumë se 24 orë për ta marrë rezultatin. Në hazë të informacioneve që kam rezultatet janë prezantuar vetëm tre orë para ndeshjes dhe kjo është shumë vonë dhe na ka zënë në befasi”.
“Ne kemi plotësuar kushtet e FIFA-s për të zhvilluar takimin, por si duket janë procedurat e këtij shteti dhe ndeshja është anuluar”.
Begolli në Info Magazine në Klan Kosova tha se të njëjtit futbollistë janë testuar edhe në Prishtinë por që kanë dalë negativë.
“Ne fillimisht kemi bërë testime në Prishtinë. Të njëjtit Futbollistët nuk kanë pasur asnjë simptomë dhe janë testuar kanë dalë negativë”.
“Me të arritur në Gjibraltar janë ritestuar edhe tetë kanë dalë pozitivë”.
“Testet janë kryer të dielen pasi që ne kemi pasur të udhëtojmë nga Kosova dhe i kemi marrë testet, dhe pas ritestimeve na kanë dalë këto probleme që tetë futbollistë kanë dalë pozitivë”.
Drejtori Sportiv i FC Prishtina theksoi se autoritetet e Gjibraltarit nuk kanë pranuar të organizojnë takimin, dhe se tani janë në pritje të një vendimi nga UEFA.
“Po sipas informacioneve që kam rezultatet e testimeve janë dorëzuar tre orë para ndeshjes, ani pse është premtuar që ato do t’i marrim më herët. Por, si duket për shkak të procedurave nuk i kemi marrë. Autoritetet e Gjibraltarit nuk kanë pranuar që ta organizojnë ndeshjen dhe jemi në pritje të një vendimi të UEFA-s”.
Ai theksoi se FC Prishtina mund ta ketë fatin e njëjtë sikur të Dritës që ta humbë ndeshjen në tavolinë.
“Rezultatet na kanë zënë në befasi dhe ne nuk kemi pasur mundësi të bëjmë diçka në këtë drejtim. Jemi në pritje të vendimit të UEFA-s, nëse do të caktohet ndonjë termin i ri, apo do ta kemi fatin e njëjtë sikur të Dritës që ta humbim ndeshjen në tavolinë”.