Anulohet seanca për rastin “Shuplaka”

Gjykimi për dhunën në komunën Qendër është anuluar shkaku se njëri prej të akuzuarve, Aleksandar Trajkovski i cili është i punësuar në komunën e Gazi Babës nuk erdhi në gjykim. Ai nëpërmjet avokatit të tij dorëzoi vërtetim se ka shkuar në udhëtim zyrtar, me leje të kryetarit të komunës Boris Georgievski.

Marketing

“Kërkoj nga gjykata që ti dërgojë një shkresë kryetarit të komunës dhe ta pyes nëse ka qenë i njoftuar se i akuzuari sot ka patur ftesë për gjykim dhe përse e ka lëshuar që të udhëtojë”, i tha Fatime Fetai trupit gjykues. Prokurorja Fetai tërhoqi vërejtjen se kjo lëndë, edhe cila ka nisur e para të gjykohet, ka gjasa që të vjetërohet prandaj kërkoi nga gjykata që të merr masat për të siguruar të gjithë të akuzuarit. Seanca e ardhshme është lënë për 6 qershor.

Në seancat e kaluara Nikolla Gruevski ka deklaruar se është i pafajshëm për akuzat e porositjes së dhunës. Të pafajshëm janë deklaruar edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja Daniela Rangellova, si dhe të akuzuarit tjerë, ndërsa vetëm dy persona kanë pranuar fajin në start të gjykimit. Meqë bëhet fjalë për një numër të madh të akuzarish, vazhdimisht dikush mungon pa ose me arsye dhe kjo ishte rast edhe në seancën e kaluar kur Fatime Fetai për një të akuzuar që nuk u paraqit në gjykatë kërkoi që të sillet me polici.

Në këtë lëndë janë akuzuar 12 persona, mes të cilëve lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova. Ata akuzohen nga PSP-ja për nxitje të dhunës që ka ndodhur gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013. /Shenja

Marketing