Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, thekson se arrestimi i ish-kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, është urdhër politik dhe se në këtë mënyrë LSDM keqpërdor institucionet shtetërore.
Ata gjithashtu thonë se arrestimi i Jakimovskit është bërë me arsye që të frikësohet opinioni dhe të mos kërkohet përgjegjësi për siç thonë, skandalet e përditshme të LSDM-së.
“LSDM po i keqpërdor institucionet për ballafaqim politik me ata që nuk mendojnë si pushteti, po tentojnë ta frikësojnë opinionin dhe të mos kërkohet përgjegjësi për skandalet që po ndodhin cdo ditë”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
“Shteti po shkatërrohet edhe në planin ekonomik edhe në planin politik. Jemi dëshmitarë të vjedhjes së paparë dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore, të cilat mbulohen me raste të montuara”-thonë nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe, policia mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin e Karposhit, Stevçe Jakimovski, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.