Arrestohet personi që incizoi rrëzimin e aeroplanit në Iran

Irani ka thënë se ka arrestuar një person që ka incizuar momentin kur është rrëzuar një aeroplan ukrainas me pasagjerë, pas sulmit me raketë.

Marketing

Besohet se personi, i cili është ndaluar do të përballet me akuza të lidhura me siguri kombëtare.

Fluturimi, PS752 ka dështuar pak minuta pas nisjes, pasi aeroplani është rrëzuar javën e kaluar në Teheran, duke lënë të vdekur 176 persona në bord.

Irani ka thënë se ka rrëzuar aeroplanin gabimisht dhe ka njoftuar për arrestimin e dhjetëra personave lidhur me këtë incident.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë se hetimet e shtetit të tij do të vëzhgohen nga një “gjykatë speciale”.

“Ky nuk do të jetë rast i zakonshëm. E gjithë bota do të shikojë këtë gjykatë”, ka deklaruar ai.

Rohani po ashtu ka thënë se për këtë “rast tragjik” nuk duhet fajësuar vetëm një person.

“Nuk ka të bëjë vetëm me personin që ka nisur sulmim, mirëpo edhe me të tjerë që janë përgjegjës”, ka thënë ai.

Irani fillimisht ka mohuar se aeroplani ukrainas është qëlluar nga një raketë, mirëpo më vonë ka thënë se kjo pajisje është qëlluar nga sistemet mbrojtëse të Iranit.

Kur disa video janë publikuar nëpër rrjete sociale, analistët kanë filluar të kenë dyshimet e para se aeroplani është qëlluar nga një raketë.