Arrihet marrëveshja, do të zvogëlohet prodhimi i naftës

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), dhe vendet aleate janë pajtuar për të ndalur prodhimin e një të pestës së naftës, me qëllim të luftimit të rënies së kërkesës pas izolimit të shkaktuar nga koronavirusi.

Marketing

Ky grup ka thënë se në muajin maj dhe qershor do të zvogëlojë prodhimin për 10 milionë fuçi, për të ndihmuar në ngritje të çmimeve. Këto masa është thënë se do të lehtësohen në prill të vitit 2022.

OPEC Plus, që përbëhet nga vendet anëtare të OPEC-ut dhe aleatët, përfshirë Rusinë, kanë mbajtur të enjten video-konferencë për këtë çështje.

Bisedimet janë komplikuar si pasojë e mospajtimeve në mes të Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Megjithatë ky grup është pajtuar për zvogëlimin e prodhimit ditor për 10 milionë fuçi. Ndërkohë pritet që kombet tjera të ndalin prodhimin e tyre ditor për 5 milionë fuçi.

Pas zhvillimit të një takimi në muajin mars, Arabia Saudite dhe Rusia patën rritur prodhimin e naftës, me qëllim të rikthimit të fitimeve në tregje, pas rënies së kërkesës në botë për këtë produkt.

Ky vendim, bashkë me zhvillimet e lidhura me koronavirusin e ri, kanë nxitur uljen e çmimit të naftës në nivelin më të ulët në 18 vjetët e fundit.

Së fundmi është parë përmirësim në çmime, sidomos pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump një javë më parë, i cili ka thënë se pret që Arabia Saudite dhe Rusia t’iu japin fund mospajtimeve.