Pas shpalljes së rezultateve të programit nacional vjetor të Ministrisë së Kulturës, nga konkursi i fundit për financim të projekteve nga sfera e kulturës, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA nuk është aspak i befasuar me rezultatet skandaloze të shpallura, që edhe një herë e konfirmojnë qëndrimin tonë se kjo qeveri, si në çdo sferë tjetër, edhe në kulturë e vazhdon paradigmën e diskriminimit ndaj shqiptarëve.
Duke i pasur parasysh veprimet tendencioze të kësaj udhëheqësie në Ministrinë e Kulturës që nga ardhja e tyre në këtë dikaster, është e pritshme që sivjet në vendin tonë të kemi kulturë shumë të vakët dhe mospërfaqësim të realitetit multikulturor të vendit tonë.
Andaj jemi sot para jush që të bëjmë një analizë të përgjithshme të programit vjetor të shpallur nga Ministria e Kulturës, vetëm sa për ta parë se sivjet do të kemi kulturë për të gjithë, por jo edhe për shqiptarë.
Po fillojmë me veprimtarinë e Bibliotekës. Aty nga gjithsej 8 projekte të personave juridikë ose fizikë, vetëm 2 janë shqiptarë. Shprehur me shuma, bibliotekave të rajoneve shqiptare do u jepen vetëm 4.650 euro nga gjithsej 10.097 euro. Ndërsa sa u përket institucioneve nacionale, nga gjithsej 111 projekte, vetëm 7 janë shqiptare, me vlerë 11.382 euro, kjo nga gjithsej 204.230 euro.
Sa i përket veprimtarisë së Dramës, ku i përfshijmë institucionet nacionale, personat fizikë dhe ata juridikë, mund të shihet qartë dallimi i madh i financimit të projekteve shqiptare kundrejt atyre maqedonase. Këtu vlen të theksohet se nuk është mbështetur festivali “Akt Fest” dhe Stand Up Komedia, që në dy vitet e kaluara ishin freski e vërtetë në Shkup për dashamirët e dramës dhe komedisë. Nëse flasim me numra, kjo i bie që nga 1.408.413 euro, vetëm 404.848 euro janë ndarë për shqiptarë dhe 77.811 euro për bashkësitë e tjera etnike në vend.
Në veprimtarinë e Arteve vizuale, dizajn dhe arkitekturë, nga gjithsej 325 projekte, në vetëm 66 projekte bartës janë shqiptarët. Ose, shprehur me shuma, nga 527.596 euro vetëm 86.179 euro janë dhënë për shqiptarët.
Në veprimtarinë e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore dhe të mirave audiovizuale, nga gjithsej 1.193.579 euro më pak se 65.000 euro janë paraparë për projekte, gërmime dhe mbrojtje të trashëgimisë në rajone shqiptare.
Në veprimtarinë Interdisiplinare nga gjithsej 258.423 euro, për shqiptarë janë paraparë vetëm 36.829 euro dhe për të gjitha bashkësitë e tjera etnike në vend 3.952 euro.
Në veprimtaria e Botimeve dhe letërsisë nga gjithsej 1.167.713 euro që janë ndarë, për projekte shqiptare janë paraparë vetëm 274.370 euro.
Te veprimtaria Ndërkombëtare nga gjithsej nga 191 projekte të miratuara, vetëm 28 janë shqiptare ose, shprehur me shifra, nga shuma e përgjithshme 556.977 euro, për përfaqësimin e kulturës shqiptarë jashtë vendit janë paraparë vetëm 111.054 euro.
Te veprimtaria e Muzeve nga gjithsej 702.630 euro, diku më pak se 60.000 euro janë paraparë për projekte shqiptare. E që skandali të jetë më i madh, për Muzeun e Alfabetit në Manastir janë paraparë 6.500 euro, ndërsa për Muzeun e Nënë Terezës vetëm 1.626 euro.
Në veprimtarinë e Muzikës nga gjithsej 2.091.472 euro për shqiptarët janë paraparë më pak se 330.000 euro. Dhe, në gjithë ketë shumë mjetesh nuk janë gjetur mjete për mbështetje të festivalit më të vjetër për fëmijë “Bletëzat”.
Sa i përket veprimtarisë së Folklorit nga gjithsej 649.000 euro për projektet shqiptare janë ndarë më pak se 200.000 euro. Ndërkaq mos ta harrojmë faktin se për arsye tashmë të njohura nuk është mbështetur aspak jubileu 15-vjeçar i Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “SKUPI”, i cili është njëri ndër festivalet më prestigjioze që mbahet në Shkup dhe sjellë mysafir nga e gjithë bota, por as jubileu i 20-vjetorit të Festivalit të Organizuar nga një ndër ansamblet më të vjetra në Shkup dhe rrethinë “Drita e Dervenit”, si dhe koncerti me rastin e 40-vjetorit të karrierës së këngëtares së mirënjohur nga Maqedonia e Veriut, Severxhane Laçi.
Marrë në përgjithësi, i bie se këtë vit shqiptarët nga Ministria e Kulturës do të marrin 1.580.680 euro nga gjithsej 8.770.000 euro. E, nëse këtë e përkthejmë në përqindje, atëherë i bie se sivjet Ministria e Kulturës për kulturën shqiptare ka ndarë vetëm 18%, që nuk është as gjysma e asaj që ne e kishim ndarë për kulturën shqiptare vitin e kaluar. Pra, kaq vlen kultura shqiptare për ministren, gjoja qytetare, Irena Stefoska, dhe kaq vlen kultura shqiptare për ata çunat shqiptarë aty që luajnë role statiste të Zëvendësministrit e të Sekretarit Shtetëror.
E që qytetarët ta kuptojnë se sa është dallimi mes kohës kur ministra të Kulturës ishin Asaf Ademi e Hysni Ismaili dhe asaj që është sot, po jua them se ne për kulturën shqiptare kishim miratuar 45% nga shuma e përgjithshme, që me ankesa shkoi deri në 50%. Po ta kthejmë në shuma të eurove, në dy vitet e kaluara kulturës shqiptare ia kemi dhënë dy herë nga 7 milionë euro, ndërsa ata sivjet i kanë ndarë për kulturën shqiptare vetëm 1.580.680 euro. Dhe, nëse dikush nuk e ka të qartë akoma se pse kjo përbërje e Ministrisë së Kulturës i është sulur ish ministrit Hysni Ismailit, është pikërisht ky sukses që i dëshpëron keq ata dhe shpresa e tyre e dështuar se ashtu do të na bëjnë presion ta ndihmojmë këtë shumicë tashmë të perënduar.
Për fund, dua t’ju them se neve na vjen keq që suksesin tonë duan ta mbulojnë me shpifje, ndërsa ata e patën rastin ta dëshmojnë veten dhe sot i keni rezultatet publike që ta shohim të gjithë se dy parti shqipfolëse aty nuk arrijnë ta prodhojnë as gjysmën e asaj që e kemi bërë ne.