Nëpunësit administrativë të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) prej sot filluan shpërndarjen e fletushkës për të drejtat themelore gjuhësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut e cila do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Qëllimi i publikimit dhe i shpërndarjes së kësaj fletushke është që qytetarët të njihen me të drejtat e tyre themelore gjuhësore. Kjo përmban informacione të mjaftueshme e të sakta, si dhe sqarohet se ku mund qytetarët ta përdorin gjuhën amtare në institucionet shtetërore.
Po ashtu qytetarëve u bëhet me dije se në çdo institucion publik apo komunal, ku më së paku 20% e qytetarëve e flasin gjuhën amtare, kanë të drejtë ligjore që ta përdorin atë dhe të drejtohen zyrtarisht.
Në këtë mënyrë AZGJ-ja po e afirmon dhe promovon këtë të drejtë themelore nëpërmjet fletushkave, doracakëve ose udhëzuesve të ndryshëm që i ka botuar deri tani.