“Bajram Shabani” me kushte të reja nis vitin e ri shkollor

Udhëheqësit e shkollës fillore “Bajram Shabani”, nga Kumanova, në prag të vitit të ri shkollor, edhe përskaj pushimit veror, vazhdimisht kanë punuar në sanimin e restaurimin e nevojshëm në objektin e shkollës.

Marketing

Bëhet fjalë për dëmet shumëvjeçare nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë mbi shkollë, që për shkak të mungesës së kanalit të ndarë në hapësirat e bodrumeve të shkollës ku gjenden kabineti i fizikës, matematikës dhe gjeografisë, shpeshherë vinte deri tek përmbytja që shkollës i shkaktonte dëme të mëdha materiale.

Për shkak të kësaj, tani ky problem është sanuar dhe është zgjidhur përfundimisht problemi i kanalizimit me vendosjen e gypit prej 50 metrash FI-160 mm dhe pos kësaj, tërësisht janë sanuar muret dhe korridoret e dëmtuara të bodrumeve ku edhe po përgatitet një sallë e madhe për mbledhje të kuadrit arsimor dhe mbledhjeve prindërore. Pos kësaj, shkolla e ka zgjidhur edhe problemin shumëvjeçar të arsimtarëve dhe nxënësve me lidhjen e ndërtesave të shkollës së vjetër me atë të renë, të locuara njëra-pranë tjetrës, ku me mbikalim janë lidhur të dyja, dhe tani e tutje nxënësit dhe arsimtarët në vend që të dalin në rrugë që të shkojnë nga njëri objekt në tjetrin, do të lidhen dhe do të komunikojnë më sigurt.

Sa i përket planeve kapitale për shkollën, ajo nga viti i ri kalendarik me projekt të Komunës së Kumanovës do të gazifikohet tërësisht, me çka ngrohja me dru do të shkojë përfundimisht në histori. Vitin e ardhshëm kulmi i shkollës do të ketë panele solar, me çka shkolla automatikisht do të fillojë të kursejë mjetë të shumta financiare, dhe me këto dy projekte – shkolla do të kontribuojë në ambientin jetësor për ajër të pastër që do të jetë beneficioni më i madh për gjithë banorët.

Vitin e ardhshëm, konkretisht me Buxhetin e vitit 2019, parashihet edhe restaurimi i tërësishëm i sallës së sportit, e cila është ndërtuar që në vitin 1976, kurse momentalisht është në gjendje shumë të keqe (thuajse në fazë të rrënimit), ndërsa për këtë sallë sporti shkolla ka nevojë për përpunim të tërësishëm të dokumentacionit projektues, i cila është dorëzuar veçmë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (koha.mk)