Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur nënshkruan katër marrëveshje, që sipas tyre do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit, shkruan Alsat.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.
Në marrëveshjen e arritur theksohet nevoja për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tre vendet.
“Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ballkani i Hapur po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë.
Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Është specifikuar që diplomat me vulën apostile të institucionit kompetent i nënshtrohen njohjes së drejtpërdrejtë.
Në qoftë se paraqitet dyshimi për vërtetësinë e diplomës, parashikohet mundësia që përmes rrugës elektronike të kërkohet vërtetimi nga institucioni që e ka lëshuar atë.
Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
Në shtatë nenet e Memorandumit, shtetet angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës, financimin e projekteve kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.
Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, shtetet parashikojnë formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.
Kryeministri Edi Rama tha se është I kënaqur me rezultatet e arritura në turizëm që nga fillimi i nismës së Ballkanit të Hapur.
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.