El Clasico e dytë për këtë sezon do të zhvillohet sonte në Camp Nou, ku Barcelona e pret Real Madridin për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Kjo do të jetë vetëm ndeshja e parë në radhën e tri El Clasicove që do të zhvillohet gjatë një muaj ditëve, pasi që ndeshja kthyese në Kupën e Mbretit do të zhvillohet më 27 shkurt e pastaj ndeshja e La Ligës më 2 mars.
Barcelona vjen në këtë ndeshje pas barazimit më Valencian në La Liga, ndërsa në Kupën e Mbretit kishte fituar bindshëm kundër Sevillas me rezultat 6:1. Në anën tjetër, Real Madridi e fitoi ndeshjen e fundit me rezultat 3:0, kundër Alavesit, dhe e zuri një vend në gjysmëfinale të kupës duke e mposhtur Gironën me rezultat të përgjithshëm 7:3.
Skuadra e Santiago Solarit ka arritur të përmirësohet gjatë ndeshjeve të fundit, pasi e kishte filluar sezonin në mënyrë aspak bindëse. Në tetor të vitit të kaluar, Barcelona e tronditi Real Madridin duke fituar me rezultat 5:1, ku protagonist ishte Luis Suarez me het-trikun e tij.
Përderisa në atë ndeshje Real Madridi kishte pasur më shumë goditje drejt portës sesa Barcelona (15 për Real Madridin dhe 13 për Barcelonën), madrilenët duhet të tregohen më të saktë këtë herë nëse e duan një vend në finale.
Sa i përket Barcelonës, shqetësimi më i madh për katalonasit është nëse Messi do të arrijë të luajë nga minuta e parë për këtë ndeshje, pasi pësoi lëndim në ndeshjen kundër Valencias. Argjentinasi është pjesë e skuadrës së ftuar për këtë ndeshje, por nuk dihet nëse do të jetë titullar.
Formacionet e mundshme të të dy skuadrave:
Barcelona XI: Ter Stegen,Roberto, Pique, Lenglet, Alba, Busquets, Rakitic, Arthur, Suarez, Dembele, Coutinho
Real Madrid XI: Courtois, Carvajal, Varane, Ramos, Reguilon, Modric, Casemiro, Kroos, Vazquez, Benzema, Vinicius