“Bardhësia e Sharrit – Bukuria e Sharrit”, nis sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit

Prej sot edhe zyrtarisht skijohet në Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit”, për herë të parë në kuadër të Parkut të ri Kombëtar “Mali Sharr”.
Skiatorët e parë të këtij sezoni sot kishin mundësi të shijojnë kohën kryesisht me diell, me pak mjegull, por me shtigje të pregatitura shkëlqyeshëm për skijim dhe me numër më të vogël të skiatorëve.

Marketing

Këtë vit, sezoni dimëror për herë të parë filloi pas shpalljes së Parkut Kombëtar „Mali Sharr“ dhe me këtë rast Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me „ELEM TURS“, sot e realizuan ngjarjen „Bardhësia e Sharrit – Bukuria e Sharrit“ – hapja e ski-sezonit në Ski-Qendrën „Kodra e Diellit“. Në këtë ngjarje u promovua Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar, i cili është në fazën finale të përgatitjes dhe për të cilin vijojnë konsultime me publikun, si dhe realizimet dhe planet për zhvillim të infrastrukturës të kësaj qentre turistike. Përfaqësuesit e institucioneve kompetente kishin fjalime të përshtatshme, ndërsa u mbajtën edhe aktivitete kulturore dhe argëtuese.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kam mundësinë, për herë të parë në këto 30 vite pavarësi, të drejtohem në shënimin solemn të shpalljes së Parkut Kombëtar, parkut të katërt të këtillë kombëtar në vend. Ky sukses është rezultat i punës shumëvjeçare të shumë palëve të interesuara, për të gjetur një ekuilibër mes nevojave njerëzore dhe mbijetesës së specieve të rralla dhe endemike, por edhe për të mbrojtur mjedisin jetësor dhe për të siguruar hapësirë jetese për brezat e ardhshëm, që është prioritet i nivelit të lartë në agjendën politike të kësaj qeverie. Shfrytëzimi i potencialit natyror për zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë rajonit është vizioni im se si duhet të duket zhvillimi socio-ekonomik”, theksoi Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

“Ka shumë vite që në këtë Qendër Skijimi nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet për përmirësimin e shërbimeve. Por sot, mund të konfirmojmë se, nëse ka vullnet, mund të ketë sukses. Këtë e ka dëshmuar edhe menaxhmenti aktual i “ELEM TURS”, në krye me z. Adem Avziu”, theksoi drejtori i Parkut Kombëtar „Mali Sharr“, Ibrahim Dehari.

Drejtori i „ELEM TURS“, Adem Avziu rikujtoi masat dhe aktivitetet e ndërmarra për fillimin e sezonit të skijimit dhe kushteve më të mira për qëndrim në Kodrën e Diellit. “Kemi bërë disa muaj punë të palodhur për të krijuar kushte minimale, kushte më të mira për skiatorët e kësaj Ski-Qendre. Kemi punuar me shumë përpjekje, për të krijuar kushte për të gjithë qytetarët, për të gjithë turistët, jo vetëm të vendit tonë, por edhe të zonave përreth. Sot, Ski-Qendra Kodra e Diellit është lider për skijim në shtetin tonë dhe në rajon. Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe investimet tona, nuk do të qëndrojmë këtu me qëllim që të përmirësojmë kushtet e këtij ski-resorti. Sot edhe zyrtarisht hapim sezonin e skijimit 2021/2022 në Qendrën e Skijimit ”Kodra e Diellit”, tha Adem Avziu.
Anela Stojanova Panajotova, përfaqësuese e ekipit që ka punuar në Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” theksoi se puna nuk ndalet vetëm me shpalljen e parkut kombëtar. “Përkundrazi hapen probleme, hapen të gjitha ato tema që siç thotë populli janë futur nën qilim. Kemi shumë punë përpara nesh, ndërsa pjesa e përgjegjësive të drejtorisë së Parkut Kombëtar është që të hapen të gjitha këto probleme për të siguruar që të respektohen ligjet e natyrës dhe më pas ligjet e shtetit. Nga ana tjetër është mal që ka potencial për turizëm të qëndrueshëm në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar, si çiklizmi malor, turizmi me kuaj dhe shumë lloje të tjera alternative të turizmit”, theksoi Anela Stojanova Panajotova.
Pas fjalimeve, vijoi pjesë argëtuese dhe shëtitje panoramike nëpër bukuritë e Kodrës së Diellit.

Përndryshe, sa për rikujtim, gjatë shtatë muajve të fundit është punuar në një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës së skijimit dhe shënjimin e shtigjeve të skijimit. Është investuar në shteg të ri skijimi 2 km të gjatë, në të cilën është instaluar ndriçim shtesë ku poashtu mund të realizohet edhe skijim nate. Gjithashtu, Qendra e Skijimit për herë të parë këtë vit ka tualete publike, gjithsej pesë, ndërsa për këtë ski-sezon është investuar edhe në dy minibar-restorante moderne të vendosura pranë shtigjeve të skijimit ku skiatorët do të mund të freskohen dhe pushojnë.
Për herë të parë në historinë e Kodrës së Diellit po ndërtohet parku më i madh i borës (snowpark) në rajon, një vend për adhuruesit e sporteve adrenalinike.
Për sezonin e ardhshëm është zgjidhur çështja e parkimit për vizitorët e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit”. Krahas parkingut të madh, përballë stacionit policor (P1), këtë sezon janë vënë në përdorim të plotë edhe dy parkingje të reja ekzistuese (P2 dhe P3). Parkingu P2 ndodhet nën h. Sllavija, ndërsa Parkingu P3 ndodhet përballë h.Skardus. Të njejtat janë sinjalizuar me shenja adekuate dhe mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme nga shërbimet e Qendrës së Skijimit.
Duke shfrytëzuar këto parkingje kemi fituar edhe 250 deri në 300 vendparkingje shtesë, gjë që mundëson parandalimin e krijimit të kaosit të trafikut që e kemi me vite me radhë, sidomos gjatë sezonit dimëror. Poashtu, planifikojmë që gjatë fundjavave kur frekuentimi është më i lartë dhe automjetet parkohen edhe disa kilometra larg, të vendosim autobus falas për të transportuar vizitorët deri te terrenet e skijimit.
Janë marrë të gjitha masat për skijim të sigurt duke siguruar shtigjet e skijimit, por edhe duke respektuar protokollet shëndetësore. Për herë të parë këtë sezon, lëshohet në përdorim Info&SOS linja telefonike pa pagesë, në të cilin vizitorët në çdo kohë mund të marrin informacione shërbimi ose të kërkojnë ndihmë nëse gjenden në vështirësi. Në tërë Qendrën e Skijimit, në vende adekuate janë vendosur informacione mbi Rregullat dhe ndalesat për skijim dhe sjellje në shtigjet e skijimit për sigurinë e vetë skiatorëve. Biletaritë, gjithsej pesë, janë të shënuara dukshëm dhe janë të vendosura në vende të përshtatshme me qëllim që të mënjanohen turmat e mëdha që ishin një pamje e zakonshme gjatë sezoneve të kaluara të skijimit. Gjithashtu, janë të mbrojtura dhe të shënuara vendet për personat e vegjël me saja në Qendrën e Skijimit.
Përgjegjësit e Qendrës së Skijimit dhe ekipi menaxhues janë në koordinim ditor, me qëllim respektimin dhe zbatimin konsistent të Planit të vendosur dhe të miratuar të aktiviteteve në Qendrën e Skijimit për sezonin dimëror 2021/2022.
Në përpjekjet që Kodra e Diellit të rikthejë shkëlqimin dhe rëndësinë që kishte dikur, Qeveria është poashtu e përfshirë në mënyrë aktive. Realizimi i përkushtuar i planeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorëve ka hasur në mbështetje të madhe nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.
Në dispozicion të vizitorëve të Ski-Qendrës, përveç objekteve të shumta akomoduese, janë edhe hotelet “Sllavija” dhe “Kodra e Diellit” të cilat menaxhohen nga “ELEM TURS” dhe që ofrojnë pako të shumta për akomodim dhe shfrytëzim të ski-biletave, shkollë për skiatorë të rinj, pajisje me qira, etj., si dhe zbritje për aranzhmanet shumëditore në hotele.