Basha mbledh sot Kuvendin Kombëtar të PD, pritet të votohen ndryshime statutore

Gjatë ditës së sotme do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Marketing

Basha do të mbledhë sot në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve delegatët e PD-së, ndërsa pritet që ata të votojnë ndryshime statusore!

Ditën e djeshme, Basha ka emëruar 12 kryetarët rinj të degëve në PD, pasi u shkarkuan nga kryesia, sepse nuk u angazhuan për Kuvendin e 18 dhjetorit dhe mbështetën kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Ndërkaq është ngritur edhe Komisioni i Përhershëm Statutor. Anëtarë të Komisionit Statutor janë Enklejd Alibeaj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Jonila Godole, Taulant Zeneli si dhe Jorida Tabaku.

Kuvendi Kombëtar i PD vjen vetëm një javë pas atij të Berishës, ku u votua për shkarkimin e Bashës si dhe u ndryshua statuti i PD-së.

Kjo e shtunë pritet të jetë vendimtare për dy kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike. Kujtojmë se sot në të gjitha degët e PD në rrethe do të mbahet referendumi për shkarkimin e Bashës, vendim i dalë nga Kuvendi i Berishës. Megjithatë Basha ka deklaruar se nuk njeh asnjë vendim të dalë nga ky Kuvend.

Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Tashmë PD është partia e vetme në vend me dy statute, njëri i dorëzuar nga Basha në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe tjetri i dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD-së.

Beteja politike mes Berishës dhe Bashës ndodhi kur ky i fundit përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish kreun e PD-së, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit./TCH