BDI niset nga Prespa, Sela nga Manastiri

Paritë politike shqiptare si në ciklet tjera parazgjedhore, edhe në këto zgjedhje pritet që betejën e tyre më të fuqishme politike ta kenë në Njësinë e gjashtë zgjedhore, aty ku del edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë. Sipas njohësve të rrethanave politike në vend, nuk do të jetë e lehtë beteja edhe në Njësinë zgjedhore 1 dhe 2.

Marketing

Ndërkohë që partitë politike po i bëjnë përgatitjet e fundit për të përpiluar orarin e tubimeve të fushatës zgjedhore e cila fillon më 24 qershor, gazeta KOHA ka mësuar se nga ku do të nis karvani i tyre zgjedhor. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën e saj do ta fillojë nga Prespa – zonë e Njësisë zgjedhore 5, në të cilën bartës liste është kryeparlamentari Talat Xhaferi. Nëse i referohemi deklaratës së fundit të liderit të kësaj force politike, Ali Ahmeti, se në Konventën e fushatës do të prezantohet edhe kandidati shqiptar për kryeministër, si dhe fillimit të fushatës nga zona zgjedhore numër pesë, atëherë mund të konstatohet se një nga kandidatët e mundshëm për kryeministër shqiptar mund të jetë Talat Xhaferi.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa, nga ana tjetër, siç mëson gazeta KOHA, fushatën e tyre do ta fillojnë nga qyteti i Manastirit. Ndërsa burime partiake thonë nuk përjashtohet as Shkupi, Tetova dhe Kumanova, si zona nga ku mund të fillojnë karvanin për zgjedhjet e 15 korrikut.

Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit Konventën për promovimin e kandidatëve të saj për deputetë e ka mbajtur më 12 mars në Tetovë, ndërsa fushatën më 24 qershor pritet ta fillojë nga Gostivari ose Shkupi.

Por, nga ky subjekt politik bëjnë të ditur se ende janë në përpilim të kalendarit të aktiviteteve. Edhe dy partitë kryesore maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, janë në përpilim të kalendarit për fushatën zgjedhore. Por, VMRO-DPMNE tradicionalisht fushatën e ka filluar nga Ohri, ndërsa LSDM-ja, siç brifojnë burime partiake, do të fillojë nga Strumica ose Manastiri dhe do të përfundojë në Shkup.