BDI: Përkrahje për Ukrainën, dënojmë thirrjet për përkrahje të agresionit rus nga elemente margjinale në vend

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton se po ndjek nga afër situatën në dhe rreth Ukrainës dhe dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina dhe vënien e tyre nën qeverisjen ruse.

Marketing

“Me këtë shkelet Marrëveshja e Minskut, minohen bisedimet e formatit të Normandisë dhe rrezikohen përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës. Ne mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. E vetmja gjë që do ta konsiderojmë si sukses është ç’tensionimi i situatës, që mund të arrihet vetëm me tërheqjen e forcave ushtarake të Federatës Ruse rreth Ukrainës. Duam të potencojmë se këto pikëpamje politike përfaqësojnë pjesë të kursit të përgjithshëm të vendit dhe interesave strategjike si anëtare e Aleancës Veri-Atlantike”, thonë nga BDI.

Nga BDI thonë se po dënojnë të gjitha thirrjet e grupeve politike në vend, partnerëve të tyre të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve strategjik, si dhe individëve që i përfaqësojnë ato, me të cilat aprovohet sjellja agresive dhe armiqësore e Rusisë dhe inkurajohen veprimet e saj.

“Kjo jo vetëm që nuk është e përshtatshme për orientimin tonë euroatlantik, por e konsiderojmë si pjesë të një veprimi hibrid të faktorëve të jashtëm për të minuar angazhimin tonë, duke krijuar përçarje në strukturën politike”, thuhet në fund.