BDI: VMRO-DPMNE me vetëdije shkakton jotolerancë ndëretnike në Butel

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj politikave shoviniste
dhe avantureske të VMRO-DPMNE-së e cila, në mungesë të ofertës për një jetë
më të mirë për të gjithë qytetarët, e frikësuar nga ndjekjet penale për krimet në
vazhdimësi të funksionarëve të saj, dhe e etur çmendërisht për pushtet, është
duke sfiduar në vazhdimësi bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndëretnike
në vend.
Vendimi i fundit i Komunës Butel për të kontestuar vetëm emrat shqip të
rrugëve të kësaj komune multietnike në Shkup është provokim i radhës i cili
meriton dënim të ashpër nga të gjithë.
Bashkëjetesa ndëretnike, demokracia funksionale multietnike, janë vlerat
themelore të shtetit tonë të përbashkët dhe vetëm shkurtpamës politikë dhe
kundërshtarë të së ardhmes evropiane, mund të llogarisin se duke sfiduar këto
vlera për qëllime elektorale apo nacionaliste, mund të kalojnë dhe të japin ndonjë
rezultat për ta.
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë gardian dhe promotor
kryesor i bashkëjetesës, tolerancës si dhe mundësisë për shprehjen e lirshme të
vlerave identitare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve në vend.
Sfiduesit e këtyre vlerave do ngelin si pjesê e dështuar dhe e errët e
historisë së këtij shteti.
Qendra për Informim e BDI-së
Shkup, 30.06.2023

Marketing